Shefi i shtabit të PDK-së, anëtari i kryesisë, Betim Gjoshi, Foto: PDK

PDK shkëput komunikimin me TV Dukagjini, e akuzon për propagandë politike

Shefi i shtabit të Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtari i kryesisë, Betim Gjoshi përmes një konference për media ka njoftuar se PDK-ja nga sot e ka shkëputur çdo komunikim me ‘TV Dukagjinin’ dhe e ka akuzuar këtë televizion për propagandë politike.

Gjoshi ka thënë se e shkëpusin edhe çdo platformë mediale që është “në pronësi të oligarkut të të gjitha sistemeve, para dhe pas luftës në Kosovë, Ekrem Llukës”.

Në një konferencë për media, ka shtuar se zyrtarët e PDK-së nga sot nuk do të marrin pjesë në asnjë debat politik të ‘Radiotelevizionit Dukagjini’.

Ai ka akuzuar këtë televizion se “ka kohë që është shndërruar në zyre të propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Albin Kurtit, por tashmë e ka arritur kulmin”.

Ndërsa, drejtori i ‘RTV Dukagjini’, Ermal Panduri, ka thënë për KALLXO.com se ‘RTV Dukagjini’ është platformë ku i jep hapësirë të gjitha partive politike.

“RTV Dukagjini do të jetë hapësirë e argumentimit të çdo qëndrimi. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nismas Socialdemokrate, dhe të gjitha subjektet tjera politike që janë të regjistruara në Kosovë e kanë derën e hapur për të argumentuar dhe për të shprehur qëndrimet e tyre qoftë me punën që ne bëjmë, qoftë me çkado që ata pretendojnë që është në kundërshtim me atë se çfarë ata e shohin dhe mendojnë bazuar në opinionin publik”, ka thënë ai.

“Ata nuk e kanë refuzuar Radio Televizionin Dukagjini, ata janë marrë me bashkëpronarin. RTV Dukagjini është bashkëpronësi, është kompani aksionare e Ekrem Llukës, Ermal Pandurit, Dardan Belegut dhe Edita Dolit”, ka shtuar drejtori i televizionit.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe aksionarin e kompanisë, Ekrem Llukën, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit.

Gjatë ditës edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka shfaqur akuza ndaj ‘RTV Dukagjini’-t.

Në një komunikatë për media thuhet se “LDK fton qytetarët të mos bien në kurthin propagandistik të TV Dukagjinit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”.

“LDK nuk synon të ndërhyjë në pavarësinë redaktoriale të mediave, por as nuk toleron fushatën fake news ndaj saj. Prandaj paralajmëron se në qoftëse TV Dukagjini vazhdon me propagandë të tillë, që duket sheshazi se ka për qëllim të ndikojë dhe orientojë votat e qytetarëve për një parti të caktuar, LDK do ta rikonsiderojë bashkëpunimin me TV Dukagjini, në mënyrë që mos të bëhemi pjesë e abuzimit informativ me pasoja për votuesit tanë dhe për  qytetarët e Kosovës”, thuhet mes tjerash në komunikatën e kësaj partie.

Lidhur me këto zhvillime, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Lëvizjen Vetëvendosje dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.