Reja kërkon dënimin maksimal të vjehrrit, i akuzuar për ngacmim
Në Gjykatën e Prishtinës, dega në Lipjan, ka përfunduar gjykimi ndaj të akuzuarit për ngacmimin e bashkëshortes së djalit.
Sipas akuzës, Q.S. akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se nga muaji tetor i vitit 2014 deri në fund të gushtit 2015 pas një mosmarrëveshjeje me axhën e të dëmtuares – nuses së djalit të tij M.B., në mënyrë të vazhdueshme ka komunikuar me të dëmtuarën me qëllim ngacmimi, duke ofenduar, sharë, thirrur me emra ofendues dhe mënyra tjera të shqetësimit.
Aktakuza thotë se i akuzuari, të dëmtuares i ishte drejtuar me fjalët “coftinë, kalbësirë, e marrune etj”, me ç‘rast tek e dëmtuara ka shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë duke rënë ndesh me ligjin.
Prokuroria thotë se i pandehuri ka kryer veprën penale të ngacmimit.
Në seancën e mbajtur sot në Gjykatën e Prishtinës, dega në Lipjan, është dhënë fjala përfundimtare nga palët në këtë rast.
Prokurorja e rastit Rukije Sheshivari në fjalën e saj përfundimtare ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë aktakuzës.
Ajo ka shtuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor në bazë të deklarimit të dëshmitarëve si dhe në bazë të administrimit të provave është vërtetuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë sipas akuzës.
Andaj prokurorja Sheshivari i propozoi Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit duke marrë për bazë rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
Dënimin maksimal, sipas ligjit, për të pandehurin e ka kërkuar edhe e dëmtuara M.B., përmes mbrojtësit të saj avokatit Bahtir Troshupa.
“Deklarimet e prokurorëve të mëhershëm logjikshëm, bindshëm dhe përtej çdo dyshimi me provat që janë administruar është vërtetuar vepra dhe përgjegjësia penale e të akuzuarit Q.S”, tha Troshupa.
Tutje avokati ka thënë se nga provat e administruara nga CD që është dëgjuar në këtë Gjykatë, e që i akuzuari e identifikon zërin e tij, e pranon përmbajtjen e bisedës dhe në funksion të mbrojtjes së vet ka deklaruar se ka qenë pjesëmarrës por nuk pranoi ta ketë kanosur.
“Në esencë kanë qenë frymëzuese dhe sipas ligjit ngacmuese – presion si rezultat i kësaj gjendje e posaçërisht i tendencës së të akuzuarit që të dëmtuaren ta ndajë dhunshëm nga fëmija i saj 3 javësh. Natyrisht që kanë krijuar gjendje të rëndë psikike dhe për pasojë, u është nënshtruar kontrolleve trajtimeve të shumta psikologjike e më vonë edhe ekzaminimit të grupit të ekspertëve psikiatër “, ka deklaruar avokati Troshupa.
Kurse e dëmtuara ka deklaruar së në tërësi i bashkëngjitet fjalës së mbrojtësit të saj dhe ndjekjes penale.
Në anën tjetër, i pandehuri ka deklaruar se fjalët e thëna nga prokurorja dhe avokati në seancën e sotme nuk janë të vërteta.
Me tutje ai ka shtuar se nuk i kishte bërë presion të dëmtuares e as nuk kishte shkuar në shtëpinë e saj.
“Gjithashtu nuk i pranoj të dhënat në aktakuzë për arsye se nuk kam bërë asgjë. Gjithashtu nuk është e vërtetë që unë i kam thënë dikujt që do të bëhet gjaku”, tha i pandehuri.
Pas dhënies së fjalë hyrëse nga palët, gjykatësi Selman Salihi ka njoftuar palët se me këtë shqyrtimi gjyqësor në këtë rast ka përfunduar në tërësi, kurse shpallja e aktgjykimit do të bëhet pas dy ditësh.
Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së, K2.0, CEL apo QKSGJ.