I akuzuari Sami Lushtaku ballafaqohet me dëshmitarët për arratisjen e tij nga QKUK-ja

Sami Lushtaku, i akuzuar bashkë me 23 persona tjerë për arratisjen nga QKUK-ja, gjatë kohës sa ishte duke u gjykuar për krime lufte, është ballafaquar më rrëfimet e dëshmitarëve në Gjykatën e Prishtinës.

I akuzuari Sami Lushtaku gjatë seancës për arratisjen e tij nga QKUK-ja – 21.10.2019

Dëshmitari Asllan Krasniqi i cili në kohën kur ka ndodhur ky rast ishte mbikëqyrës i lartë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, deklaroi se “Me datën 20 maj 2014,  isha mbikëqyrës i lartë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, mirëpo nuk kam qenë në punë dhe për atë ditë nuk di asgjë’’, tha dëshmitari Krasniqi.

Mbikëqyrës atë ditë ka qenë Abedin Kurteshi, vazhdoi tutje dëshmitari Krasniqi.

Dëshmitari Krasniqi tha se lidhur me rastin e arratisjes ishte njoftuar në mbrëmje nga mediat.

Ai për gjykatën tregoi hierarkinë e zyrtarëve në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë

Hierarkia në Qendrën e Paraburgimit varijon nga pozita e  Oficerit, mbikëqyrësi, mbikëqyrësi i lartë, shefi i sigurisë, zëvendësdrejtori, drejtori, deklaroi dëshmitari Krasniqi.

I pyetur nga prokurori Blerim Isufaj se “Sa oficerë korrektues duhej caktuar  në QKUK për ruajtjen e të paraburgosurve’’, dëshmitari Krasniqi tha se “Duhej caktuar 2 oficerë korrektues dhe njëri prej tyre të jetë i pajisur me armë’’.

Dëshmitari Krasniqi tutje për gjykatën tha se “Nëse oficerët kanë patur ndonjë problem, është dashur ta shënojnë në librin zyrtar dhe ta njoftojnë dhomën e kontrollit, pastaj dhoma e kontrollit njofton mbikëqyrësin e kështu me radhë’’.

I pyetur nga prokurori Isufaj se me datën 20 maj2014 kush ishte në orar të punës  në dhomën e kontrollit?

Dëshmitari Krasniqi, tha se ekziston dokumenti se kush ka qenë në punë atë ditë, por mund të them se në ndërrim ka qenë Nexhmije Brati.

Në pyetjen e gjykatësit Shashivar Hoti, se a jeni njoftuar nga vartësit tuaj për rastin që ka ndodhur?

Dëshmitari Krasniqi deklaroi se “Nuk më ka njoftuar askush, të nesërmen kam shkuar në punë dhe jam njoftuar për rastin që ka ndodhur’’.

“Atë ditë kam kuptuar se nga QKUK-ja e kemi një të arratisur emri i të cilit s`po më kujtohet’’, tha dëshmitari Krasniqi.

Avokati Xhavit Krasniqi, mbrojtës i të akuzuarit Argjend Behrami e pyeti dëshmitarin Asllan Krasniqi se “A dërgoni ndonjë oficer të ri për shoqërimin e të paraburgosurve jashtë qendrës së paraburgimit’?, dëshmitari  Krasniqi tha se “Në momentin që certifikohet si oficer është edhe për shoqërimin e të paraburgosurit jashtë qendrës së paraburgimit’’.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe djali i Sami Lushtakut, Mergim Lushtaku, Emrush Thaçi, Sahit Jashari, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Bajram Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Xhevdet Zena, Gëzim Ahmetaj, Ylber Blakaj, Argjent Behramaj, Valon Behrmaj, Bashkim Dervisholli, Mervete Hasani- Lushtaku dhe Dardan Geci.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu, duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë aktakuzë të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e poashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg