Vrimat e plumbave para banesës ku ndodhi vrasja, Foto: KALLXO.com

Historia e konflikteve që quan në vrasjet në mes familjeve Rafuna e Mehmeti në Prishtinë

Vrimat e plumbave, e njollat e gjakut ende nuk janë larguar që nga pasdita e djeshme në lagjen “Mati 1”.

Kjo si pasojë e një përleshjeje të armatosur e cila ndodhi jashtë kompleksit banesor ku për 50 vite komshinj, dy familjet Rafuna e Mehmeti u përleshën me armë mes vete.

Vrimat e plumbave para banesës ku ndodhi vrasja, Foto: KALLXO.com

Mëngjesin e sotëm familja Rafuna dhe ajo Mehmeti kanë hapur dyert e tyre për ngushëllime. Të dy familjet humbën nga një pjesëtar të familjes nga të shtënat me armë që ndodhën pasditen e djeshme.

Bashkim Mehmeti e Mefail Rafuna vdiqën si pasojë e plagëve të marra nga plumbat.

Ekipi i KALLXO.com qëndroi sot në familjen Mehmeti të cilët prapa kamerave tregonin detaje të rastit.

Të pamet në familjen Mehmeti, Foto:KALLXO.com

Në fakt, familjet ende nuk e kanë të qartë se cili ishte shkaku që ka bërë dy familjet që jetonin në të njëjtin kompleks banesor dhe të cilët ishin për 50 vite komshinj të qëllojnë me armë kundër njëri- tjetrit.

Një familjar ka thënë se as 24 orë pas ngjarjes, familjet janë të qetësuara. Kjo për shkak se është angazhuar një ndërmjetësues për të qetësuar gjakrat mes vete.

E gjithë ngjarja sipas familjarëve pritet të sqarohet pas varrimit të dy të vdekurve.

Foto: KALLXO.com

Mefail Rafuna do të varroset nesër ndërsa në të njëjtën ditë pritet të varroset edhe Bashkim Mehmeti.

Familjarët tregojnë se edhe pse kishin jetuar në katin e njëjtë të banesës, të pamet janë hapur në vende të ndryshme.

Familjarët e Bashkim Mehmetit të pamet i kanë hapur në banesën e tyre në lagjen “Mati 1” ndërsa familja Rafuna ka hapur të pamet në fshatin Hajvali.

Në lidhje me raportimet se e gjithë ngjarja është zhvilluar për çështje pronësore, një familjarë i ka thënë KALLXO.com se vetëm para pak ditësh, dy familjet së bashku kishin shkuar tek kompania ndërtuese për të shprehur disa pakënaqësi të tyre.

Në përleshjen me armë gjatë pasdites së djeshme, në lagjen “Mati 1” janë përfshirë gjashtë persona nga dy familjet.

Nga familja Mehmeti, ka mbetur i vdekur Bashkim Mehmeti ndërsa babai dhe vëllai i tij janë arrestuar nga policia.

Në familjen Rafuna kanë qenë të përfshirë, xhaxhai me dy nipat (djemtë e vëllait), ku i vdekur ka mbetur njëri nga nipërit.

Në videon të cilën e posedon KALLXO.com, mund të vëreni se personi me rroba të zeza është Bashkim Mehmeti i cili ka plagë në pjesën anësore të trupit ndërsa dy personat e tjerë me rroba të bardha janë xhaxhai dhe nipi nga familja Rafuna.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se Prokuroria e Prishtinës e ka konfirmuar për KALLXO.com se sipas informacioneve të para, të shtënat me armë zjarri që ndodhën ditën e djeshme në lagjen “Mati 1”, në Prishtinë ku si pasojë dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën, ndodhi për shkak të problemeve pronësore.

Prokurori i rastit, Ilaz Beqiri e konfirmoi për KALLXO.com se janë arrestuar tre persona lidhur me rastin tragjik që ndodhi dje në lagjen “Mati 1”.

Sa i përket kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të arrestuarve, Beqiri shtoi se posa ta pranojnë kallëzimin penal nga Policia menjëherë do të bëjnë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të arrestuarve.

VIDEO +18: Momenti i plagosjes në ‘Mati 1’

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com raportoi vazhdimisht për rastin.

VIDEO +18: Momenti i plagosjes në ‘Mati 1’

VIDEO: Forenzika del në vendin ku ndodhi përleshja e armatosur

Dy të arrestuar për përleshjen me armë në ‘Mati 1’ (VIDEO)

QKUK tregon bilancin e përleshjes me armë në Mati 1