Gjykimi për ndarjen e pasurisë bashkëshortore, kërkohet plotësimi i ekspertizës

Në prezencën e ekspertes financiare Gresa Shabani, e ftuar të jap sqarime lidhur me përfundimet e saja dhe besueshmërinë e ekspertizës së saj, u mbajt seanca e B. A. të paditur nga ish-bashkëshortja e tij N. A., lidhur me ndarjen e pasurisë në mes tyre.

Të autorizuarit e palëve ndërgjyqëse i propozuan gjykatës, meqë lënda është voluminoze dhe që secila palë ka dhënë propozimet e tyre përmes parashtresave, në lidhje me plotësimin e ekspertizës financiare, propozuan që ekspertiza të plotësohet nga ekspertja, dhe e njëjta ta marr lëndën përsëri dhe në bazë të parashtresave dhe ekspertizës së përpiluar duke marrë parasysh vërejtjet e secilit të jap përgjigje në formë të shkruar.

Propozimi i tyre u aprovua, dhe u kërkua nga ekspertja Gresa Shabani plotësimi i kësaj ekspertize.

Sipas padisë, paditësja N. A. dhe i padituri B. A., kanë lidhur martesë në vitin 1996, në Prishtinë dhe nga ajo martesë kanë edhe dy fëmijë të moshës madhore.

Mirëpo prej vitit 2016 rrethanat në mes bashkëshortëve kanë ndryshuar, duke e bërë jetën mes tyre të pa mundur për çka edhe kanë paraqitur propozim në Gjykatën e Prishtinës për shkurorëzim.

Gjithnjë sipas padisë, paditësja ka pranuar pasuri të veçantë – trashëgimi nga babai i saj në shumën prej 60 mijë marka Gjermane, të cilat i ka investuar në blerjen e një lokali në Prishtinë. Ky lokal sipas aktpadisë është blerë në shumën prej 105,300.00 marka Gjermane, nga të cilat 60,000.00 marka janë investuar nga pasuria e trashëguar nga babai i paditëses.

Tutje sipas padisë, N. A. e ka shitur një banesë të saj në Prizren, gjatë vitit 2012, në shumën prej 40,000.00 euro. Mjetet nga shitja e kësaj banese sipas padisë janë investuar nga paditësja për blerjen e një banese në Shqipëri në sipërfaqe prej 64 metra katrorë.

Tutje padia shpjegon se si paditësja dhe i padituri gjatë jetës së tyre bashkëshortore afërsisht 20 vjeçare kanë realizuar të hyra të përbashkëta kryesisht në blerjen e parcelave, banesave, bizneseve etj. Gjithashtu padia specifikon se si ish-bashkëshortët kanë investuar edhe në dy lokale të tjera që gjenden në Prishtinë, njëri në sipërfaqe prej 28 metra katrorë, kurse tjetri prej 25 metra katrorë e që sipas paditëses edhe kjo pasuri është krijuar në kohën kur bashkëshortët kanë kontribuar bashkërisht në krijimin e pasurisë familjare.

Në këtë çështje gjyqësore kishte pasur edhe ekspertiza financiare me të cilat nuk ishte pajtuar paditësja N. A. duke bërë edhe kundërshtimin e tyre në Gjykatë.

Seanca e radhës do të caktohet pas plotësimit të ekspertizës.