Foto: Kallxo.com

Gjykimi i Qemajl Mustafës: Mungon një i akuzuar shtyhet seanca

Në mungesë të dëmtuarit dhe të akuzuarit Avdyl Pireva, Gjykata e Pejës ka dështuar të vazhdojë procesin gjyqësor ndaj ish kryetarit të Gjilanit Qemajl Mustafa dhe 37 të akuzuarve të tjerë.

Mustafa akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se ka marrë pjesë në aktivitete kriminale të grupit të organizuar të përbërë prej 38 personave.

Pjesë e aktzakuzës ka qenë edhe Behra Mehmeti por ai ka vdekur kështu që gjykata ka vendosur që ta pushojë procedurën ndaj tij.

Për shkak të numrit të madh të të dyshuarve dhe pamundësisë për t’u bërë vend të gjithë në sallë të gjykatës, ky rast po gjykohet në sallën e Asamblesë Komunale të Pejës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Qemajl Mustafa, avokati Ismajl Shufta, i propozoi gjykatës qe të vazhdohet seanca, përkundër mungesës se të akuzuarit Pireva dhe të përfaqësueses se komunës si palë e dëmtuar.

“Sa i përket të akuzuarit le të veçohet procedura, kurse mungesa e palës së dëmtuar që prokurori Agron Bajrami e konsideroi si shkelje procedurale vazhdimin e procedurës pa prezencën e saj, është fakt kjo por mendoj se edhe ashtu kemi shkelje të mjaftueshme deri tani”, tha Shufta.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sylë Lokaj, lidhur me shkeljet qe pretendon i njëjti, avokati Shufta tha se shkelja qëndron në atë që prokurori nuk e ka siguruar ekspertizën financiare, derisa gjykata ka bërë shkelje, sipas tij, në atë se nuk ka kërkuar sigurimin ekspertizës.

Prokurori lidhur me pretendimin e mbrojtësit Shufta, tha se të gjitha provat në të cilat mbështetet aktakuza i janë dorëzuar Gjykatës dhe mbrojtësve.

Prokurori shtoi se prova që i referohet mbrojtësi nuk mund të kërkohet në këtë fazë, po ashtu potencoi faktin se me rastin e parashtrimit të kërkesës për kundërshtim të provave, si Gjykata e Pejës ashtu edhe ajo e Apelit e kanë vërtetuar aktakuzën.

Ndërsa gjykatësi Sylë Lokaj tha se ai ka proceduar kërkesën e mbrojtësit te Prokurori i Shtetit, por tha se ekspertiza mungon në shkresat e lëndës.

Për shkak të këtyre rrethanave, trupi gjykues ka ndërprere seancën e sotme, për të vazhduar më 17 tetor.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, e ka koordinuar veprimtarinë e këtij grupi kriminal rreth kurdisjes së dhënies së tenderëve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Aktualisht Qemajl Mustafa është kryetar i degës së PDK-së në Gjilan.

Prokuroria pretendon se kompanitë në Gjilan i fitonin tenderët në bazë të kurdisjeve me ish-kryetarin dhe menaxheren e prokurimit.

Në aktakuzë thuhet se Qemajl Mustafa duke e përdorur fuqinë e tij si kryetar i Komunës ka koordinuar dhe ka qenë në dijeni për të gjitha aktivitetet e prokurimit, me ç’rast ai vendoste edhe për caktimin e anëtareve të komisioneve vlerësuese të dhënies së tenderëve.

Sipas Prokurorisë Speciale grupi në krye në Qemajl Mustafën kishte për qëllim dhënien e tenderëve për kompanitë e ndryshme duke i eliminuar kompanitë me ofertat me të volitshme.

Së bashku me ish-kryetarin Mustafa në këtë proces gjyqësor akuzohen Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Agim Hoxha, Drita Kajtazi, Fadil Osmani, Fatmir Halili, Ganimete Kastrati, Hamdi Ismaili, Hesat Mahmuti, Ibrahim Foniqi, Ilaz Rashiti, Merita Shabani, Muhamet Kastrati, Musa Nasufi, Qefsere Limoni, Selvie Mustafa, Ramush Musliu, Shemsedin Qerimi, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Nazmi Jashari, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani,  Azem Mujku, Zeqirja Fazliu, Basri Kqiku, Mjedin Ahmeti, Naser Mehmeti, Burim Govori, Florim Zuka, Avdyl Pireva, Skender Imeri, Rrustem Hajdari, Asllan Asllani dhe Asllan Syla.

Ndërsa Basri Kqiku, Avdyl Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, akuzohen se kishin për te kryer veprat penale –krimi i organizuar lidhur me veprën penale keqpërdorim i autorizimeve ne ekonomi.