Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

I akuzuari jashtë vendit shtyhet në kohë të pacaktuar gjykimi për drogë

 

Seanca e shqyrtimit fillestar e paraparë të mbahej sot në Gjykatën e Mitorivcës ndaj të akuzuarit Sali Skenderi ka dështuar.

Skenderi po akuzohet nga prokuorria për veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Shkak i dështimit të seancës së paraparë për të premten ka qenë mungesa e të akuzuarit Skenderi.

Gjyqtari Gëzim Ademi ka njoftuar se nga fletëkthesa konstatohet se i akuzuari gjendet jashtë vendit, andaj edhe nuk u paraqit në seancën e sotme.

Kurse në këto rrethana, gjykatësi Ademi mori aktvendim me të cilin e ka shtyrë shqyrtimin fillestar për kohë të pacaktuar, kurse ka njoftuar se ndaj të akuzuarit do të lëshohet urdhëresë për sjelle me forcë nga ana e Policisë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Mitrovicë Sali Skenderi akuzohet se në dhjetor 2018, në Mitrovicë, derisa ishte duke vozitur është ndaluar nga Njësia e hetimeve për narkotikë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ka poseduar pa autorizim dy qese plastike të tejdukshme, me substancë narkotike të llojit marihuanë, në sasi totale prej 5.09 gram, e cila thuhet se është konfiskuar nga zyrtaret e autorizuar.