Bilsim Ndreci - Dëshmitar i mbrojtjes së Salih Mustafës

Dëshmitari Ndreci rrëfen për vrasjen e shqiptarëve nga forcat serbe dhe krijimin e njësisë “Barileva”

Bislim Ndreci, dëshmitari i gjashtë i mbrojtjes po dëshmon në gjykimin ndaj Salih Mustafës që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Sali Mustafa i njohur me nofkën ”Komandant Cali” nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Dëshmitari Ndreci sqaroi se në periudhën mars-prill të vitit 1999, gjendja e sigurisë ka qenë e rëndë në fshatin Barilevë.

Ai deklaroi se në fshatin ku ka vepruar, në Barilevë nga një grup personash në mënyrë vullnetare ishte formuar ushtria e cila njihej si “Njësia e Barilevës” që i ka takuar Brigadës 153.

“E nderuar kryetare e trupit gjykues, kjo ka qenë ushtri vullnetare s’ka qenë e rregullt dhe detyruese. Dhe ne kemi pas mision vullnetar dhe jo të detyruar. Ushtritë e mëdha kanë godinën, ushtrinë, armatim. Ne kemi qenë vullnetar me armët tona. Ka qenë një grup prej 27 ushtarësh dhe jemi rrit çdo ditë aty, dhe e kemi marrë emrin Njësia e Barilevës ku kjo njësi ka qenë në kuadër të Brigadës 153. Kjo njësi e ka pasur udhëheqësin e vet, njësia është përbërë nga vullnetarët-qytetarët e Barilevës ku komandant ka qenë Isuf Shalaku nga fshati Dredhishtë, komuna Obiliqit”, ka deklaruar ai.

Ndreci tutje ka thënë se pasi forcat serbe ishin afruar në lagjet e tyre dhe pasi filluan vështirësitë për ushqim, filloi lëvizja e popullatës

“Ne e kemi bë transferimin e popullatës ku i kemi pas vëzhguesit në pikat më të larta m`i vëzhgu njësitë paramilitare serbe, tan ditën kemi vëzhguar kah mbrëmja i kemi nisë në kolonë sepse forcat serbe i kemi pas shumë afër dhe prej 2 muajve lëvizje e kemi vetëm një viktimë. Aty kanë kalu politikanë, gra, fëmijë e pleq”, tha dëshmitari.

Ndreci shtoi se derisa po lëviznin nga një fshat në një fshat tjetër, 8 persona të paarmatosur ishin vrarë në Barilevë.

“Tre kanë qenë ushtarë, njëri ka qenë profesor Selim Berisha që është vra më 20 mars dhe dy të tjerë. Për të fundit, më kujtohet që është vra më 18 maj, ka qenë komandant togu dhe për të dytin mes 20 marsit dhe 18 majit, por saktë më vjen keq nuk e mbaj mend”, ka sqaruar ai.

Pos këtyre personave,  dëshmitari Ndreci qëndroi pranë deklaratës së dhënë më herët ku kishin vdekur edhe dy persona të tjerë, Bedri Kurti dhe një person më mbiemrin Kaçiu.

“Po, këta kanë vdekur më 12 prill, sepse aty ku ne rrinim në lagjen Barileva në Vërbovc, diku rreth orës 12:30 na kanë lajmëruar se po afrohen forcat serbe rreth lagjes. Ne jemi mobilizuar shumë shpejtë, e kemi largu popullatën e asaj lagje, nuk ka pas shumë në numër, diku 200-300, janë largu të gjithë derisa kanë mbërri ata. Aty jemi ballafaquar me forcat serbe, ne ushtarët e UÇK-së”, tha Ndreci.

Sipas tij, këta dy persona nuk kanë qenë ushtarë të UÇK-së.

Derisa ka folur për këto ngjarje, ai ka bërë të ditur se kufomat  janë tërhequr nga ushtarët e UÇK-së dhe  janë dërguar në fshatin Kozaricë, afër lagjes “Llumnica”.

“Pastaj është bërë zhvarrimi dhe rivarrimi në vendlindjet e tyre”, tha Ndreci.

Në seancën e së martës, dëshmitari Bislim Ndreci ka rrëfyer se ushtarët e Njësisë 153 nuk kanë mbajtur uniformë në mënyrë që të mos vëreheshin nga armiku.

Në rastin e Salih Mustafës do të dëgjohen 17 dëshmitarë të propozuar nga ana e mbrojtjes.

Sali Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe  dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Sali Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com – LINK