Bilsim Ndreci - Dëshmitar i mbrojtjes së Salih Mustafës

Dëshmitari Ndreci: Salih Mustafën e kam takuar në Barilevë

Besnik Ndreci dëshmitar i mbrojtjes para Dhomave të Specializuara të Hagës ka deklaruar se të akuzuarin Salih Mustafa e kishte takuar në fshatin Barilevë diku në muajin prill të vitit 1999.

Sali Mustafa i njohur me nofkën ”Komandant Cali” nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Dëshmitari Ndreci gjatë ditës së martë, i është përgjigjur pyetjeve të avokatit Betim Shala ku ka rrëfyer se Salih Mustafa nga fshati Vranidoll kishte ardhur tek lagja “Verbovci” në Barilevë.

“Rasti i parë ka qenë shumë herët, diku në shkurt ose fillimi i marsit apo diku aty, por u kon borë. Rasti i dytë ka qenë diku mesi i prillit ose pjesa pak më larg se mesi. Me datë nuk mund ta caktoj saktë, sepse është kohë shumë e gjatë dhe nuk kemi shënim”, tha ai.

Pas kësaj, dëshmitari deklaroi se Salih Mustafën e kishin thirrur për të shkuar në Zllash.

“I thashë pse Jusuf po shkoni kaq shpejtë, tha se e thirrën Salihin se ka shumë të plagosur, thash po vi me juve, tha jo se po mesim keq, thash po kom qejf me dëshirën e madhe me shku me ta dhe vozitë atë automjet, kom shku me ni fshat diku të Gollakut këta kanë vazhdu tutje, jam kthy me traktor me tjerë ushtar prapë për Barilevë”, tha Ndreci.
I njëjti shtoi se nuk kishte pasur dijeni se çfarë pozite ushtarake ka mbajtur Mustafa.

“E kemi ditë se ka qenë Jusuf Shalaku përgjegjësi jonë, e ky ka qenë përgjegjësi i Jusuf Shalakut”, dëshmoi Ndreci.

Me këtë, mbrojtësi Betim Shala ka përfunduar marrjen në pyetje, ku pas pauzës së drekës dëshmitari do të intervistohet nga ana e prokurorisë.

Në rastin e Salih Mustafës do të dëgjohen 17 dëshmitarë të propozuar nga ana e mbrojtjes.

Sali Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe  dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Sali Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com – LINK