Foto: Ilustrim

Gjykata liron ish-arkëtaren e “Interex”-it, e akuzuar për përvetësim të mbi 9 mijë eurove

Gjykata e Prishtinës në mungesë të provave ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-punëtores së “Interex”-it, e akuzuar për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës.

Vildona Bega, ish-arkëtare në marketin “Interex” po akuzohet se mori nga arka 9 mijë e 502 euro.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani kishte deklaruar se me asnjë provë nuk është vërtetuar se e njëjta kishte kryer veprën penale e cila i vihej në barrë.

Sipas Prokurorisë, Vildona Bega së bashku me Burbuqe e Faton Halitin dhe Bernard Kerhanin kishin përvetësuar para.

Aktakuza thotë se e pandehura Vildona Bega është përgjegjësja kryesore për përvetësim të mallrave apo artikujve.

Prokuroria shpjegon se këtë ajo e ka bërë përmes faturave “cash” dhe me kartela, në atë mënyrë që pasi bënte skanimin e artikujve në arkën ku punonte me makina llogaritëse, në fund i kishte fshirë me minus, duke e bërë të pavlefshme faturën. Akuza vazhdon duke shpjeguar se e pandehura e linte një shumë simbolike, kështu duke ia mundësuar edhe vetes edhe konsumatorëve, në këtë rast të pandehurve Burbuqe dhe Faton Haliti, dhe Bernard Kerhanit të paguajnë vetëm 2 deri 5% të faturës së vlerës reale, e po ashtu e pandehura metodën e njëjtë e ka përdorur edhe me kartela bankare, duke minusuar vlerën e faturave deri në minimum e që ka rezultuar se vlera për të cilën ka pësuar humbje marketi “Interex” është 9.502.33 euro. Shumë kjo prej të cilave 5.164.47 euro janë fatura me kartela, ndërsa 4.337.86 euro janë me fatura “cash”.