Foto: Kallxo.com

Gjykata jep dënimin për vrasjen te nënkalimi në Prishtinë

Gjykata e Prishtinës e dënoi Nexhat Blakqorrin me 4 vjet e 8 muaj burg për vrasjen e Gani Ramës te nënkalimi në Prishtinë.

Paraprakisht i akuzuari Blakqorri kishte pranuar fajësinë në seancën e 6 dhjetorit.

Policia arreston të dyshuarin për vrasjen te nënkalimi në rrugën ‘Bill Clinton’

Lidhur me këtë vendim, gjykatësi Shashivar Hoti nuk dha arsyetim se në cilat rrethana e kishte bazuar vendimin por e njoftoi të akuzuarin Nexhat Blakqorrin për të drejtën në ankesë.

Poashtu ndaj të akuzuarit u ndërpre edhe masa e paraburgimit.

Sipas prokurorisë i akuzuari Nexhat Blakqorri, më 20 korrik 2019 rreth orës 17:50 në Prishtinë, në rrugën ‘’Peandori Justinian’’, te shkallët e nënkalimit nën bulevardin Bill Klintoni, pas një mosmarrëveshje verbale, fizikisht e kishte sulmuar tani të ndjerin Gani Rama.

Aktakuza thotë se duke e goditur shumë herë me grushte në pjesën e kokës, dhe me shqelm në pjesën e krahërorit me çka i ndjeri Gani Rama kishte humbur baraspeshën dhe ishte rrëzuar me shpinë në shkallë ku ka rrëshqitur deri te pushimorja e shkallëve duke pësuar lëndime trupore.

Sipas aktakuzës, me gjakmbledhje nënlëkurore në buzë, hundë, në anën e majtë të kokës, të shkaktuara me veprim mekanik të mjetit të fortë të mprehtë, prej shkak të të cilave ka ardhur deri të vdekja e të ndjerit Gani Rama.

Raporti i autopsisë i përpiluar nga eksperti mjekoligjor Valon Hyseni 21 korrikut të këtij viti e karakterizon si vdekje të dhunshme të shkaktuar si pasojë e gjakderdhjes dhe thyerjes së kockave të kokës.