Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Gjykata e Apelit e zbut dënimin e të akuzuarës për aksidentin nga i cili vdiq një i mitur

Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajt për të akuzuarën Albiona Mehmeti.

E pandehura po gjykohet për një aksident nga i cili kishte humbur jetën i mituri Endrit Haziri.

Gjykata e Ferizajt, konkretisht gjyqtarja Hakile Ilazi, e kishte dënuar të akuzuarën me 7 muaj burg efektiv.

Mirëpo, Gjykata e Apelit e përbërë nga gjyqtarët Hashim Qollaku, Biljana Rexhiq dhe Ferit Osmani, në aktgjykimin e nxjerrë më 30 shtator 2019 dënimin me burg efektiv e zëvendëson me burgim me kusht prej 7 muajsh. Apeli thotë se ky dënim nuk ekzekutohet nëse e akuzuara nuk kryen vepër tjetër penale gjatë fazës së verifikimit.

Prokuroria e Ferizajt, e përfaqësuar nga prokurorja Mimoza Syla Hyseni, e akuzon Albiona Mehmetin për rrezikim të trafikut publik duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre.

Sipas aktakuzës, Albiona Mehmeti më 29 qershor 2017 rreth orës 14:50 në fshatin Koshare të Ferizajt teksa po voziste automjetin “Audi A6” ka ndërmarrë veprime të pasigurta duke tejkaluar në vijë të plotë, me ç’rast e ka goditur automjetin që e drejtonte Kujtim Fazlija.

Në këtë situatë, e pandehura ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke e goditur mbrojtësen e rrugës dhe biçiklistin, tani të ndjerin Endrit Hazirin, i cili ishte duke lëvizur nëpër trotuar jashtë mbrojtësve te rrugës në drejtim Ferizaj-Shtime.

Sipas Prokurorisë, nga goditja, biçiklisti rrëzohet në hendek me kokë në disa kubëza të betonta ku edhe pëson lëndime trupore, për çka trajtohet në QKUK.

Si pasojë e lëndimeve, i mituri ka vdekur më 9 korrik 2017.

Me këtë, sipas Prokurorisë, e pandehura ka kryer veprën penale – rrezikim i trafikut publik.

Gjykata e Ferizajt ka marrë aktgjykim dënues ndaj Albiona Mehmetit duke e dënuar me 7 muaj burg efektiv dhe marrjen e lejes së vozitjes në periudhën prej 2 viteve.

Më pas mbrojtësja e autorizuar e të pandehurës, avokatja Elvira Heta Vata, ushtron ankesë në Gjykatën e Apelit për pjesën e dënimit duke e konsideruar atë të lartë.

Gjykata e Apelit me datë 30 shtator 2019 vendosi ta ndryshojë vendimin e Gjykatës së Ferizajt dhe atë nga 7 muaj burgim efektiv të pandehurës ia ndryshoi dënimin me 7 muaj burgim me kusht për periudhën e verifikimit prej 2 vitesh nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale.

Sipas Gjykatës së Apelit, ky dënim është i mjaftueshëm që të arrihet qëllimi i dënimit.

Kujtojmë se për këtë rast edhe në vitin 2017 Gjykata e Ferizajt, konkretisht gjyqtarja Hakile Ilazi, e kishte shpallur fajtore Albiona Mehmetin për këtë vepër penale dhe e kishte dënuar me 7 muaj burgim efektiv dhe marrjen e lejes së vozitjes në periudhë 2 vjeçare,

Por pas ankesës së mbrojtjes të të pandehurës, Gjykata e Apelit me trup gjykues të përbërë nga Hashim Qollaku, Ferit Osmani dhe Afrim Shala, kishte vendosur me aktgjykimin e datës 19.4.2018 që rastin ta kthejë në rigjykim dhe të vendoset sërish për shkak se sipas tyre aktgjykimi i Gjykatës së Ferizajt përmban shkelje ligjore te pjesa e pranimit të fajësisë.

Pasi që gjyqtarja Hakile Ilazi pas seancave të rigjykimit prapë vendosi të njëjtën ta dënojë me burgim prej 7 muajsh dhe dënim plotësues marrjen e patentë shoferit në periudhë prej 2 vitesh, Gjykata e Apelit vendos që vetë të vendos lidhur me sanksionin penal duke e ndryshuar atë ne dënim me kusht.