Gjykata në Prizren

Gjuajti me armë në lokal dhe kërcënoi policët me vrasje, i caktohet paraburgimi të dyshuarit

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit L.K.

I njëjti po dyshohet se me datë 31 janar 2022, derisa ishte duke qëndruar në lokal, fillimisht gjuan me shishe birre në drejtim të një personi dhe pastaj nxjerrë pistoletën me ç’rast duke u konfrontuar me pronarin e lokalit arma shkrep dhe vetë i pandehuri lëndohet.

Tutje thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë, gjatë arrestimit nga zyrtarët policor i njëjti i ka kanosur ata me vrasje.

“Me rastin e vendosjes së prangave i është kanosur zyrtarit policor – të dëmtuarit, duke iu drejtuar me fjalët “ju njoh të gjithëve, ………., kam me ju vra”, i cili edhe pas trajtimit mjekësor ka përsëritur kërcënimet e njëjta”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Masa e paraburgimit nën dyshimin e veprave penale  armëmbajtje pa leje, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe kanosja do t’i  llogaritet nga data 31 janar 2022 deri më 1 mars 2022.

Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

“Fakti se kemi të bëjmë me të pandehurin i cili në vend publik, në prezencën e qytetarëve, ka ndërmarrë veprimet kundërligjore, me çka ka rrezikuar jetën e njerëzve. Po ashtu i pandehuri pas gjithë këtyre veprimeve nuk është nënshtruar urdhrave të zyrtarit policor me rastin e prezantimit në vendin e ngjarje, me ç ’rast edhe të njëjtin ka kërcënuar, po ashtu raportet e acaruara me pronarin e lokalit, të gjitha këto e arsyetojnë dyshimin se i pandehuri me lënien në liri mund të përsërisë veprat penale”, përfundon njoftimi.