Ilustrim | Foto: KALLXO.com

Dosja e veteranëve mashtrues, Apeli gjen shkelje në aktgjykimin e Gjykatës së Pejës

Blerim Ramosaj, Pal Berisha, Lekë Desku dhe Xhavit Maxharra, në gusht të 2019-ës janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Pejës në akuzat e Prokurorisë se kanë mundësuar dhe falsifikuar dokumente për të përfituar statusin e veteranit të UÇK-së.

Gjykata e Apelit ka anuluar këtë aktgjykim të Gjykatës se Pejës, duke ia kthyer çështjen të njëjtës Gjykatë, për rigjykim.

Të akuzuarit ishin dënuar me nga gjashtë muaj burgim, e që sipas gjykatësit Sejdi Blakaj, me pëlqimin e tyre, ky dënim ishte zëvendësuar me gjobë, në shumë prej 1,300 euro.

Por Apeli, një mënyrë të tille të zëvendësimit e ka konsideruar në kundërshtim me dispozitat ligjore të Kodit Penal.

“Sipas vlerësimit të kolegjit të Gjykatës, një mënyrë e tillë e zëvendësimit është në kundërshtim me nenin 47 të Kodit të Procedurës Penale, për shkak se në momentin e zëvendësimit të dënimit me burgim në dënim me gjobë, dënimi me burgim suspendohet dhe hynë në fuqi dënimi me gjobë, kurse në rast të pamundësisë se pagesës se dënimit me gjobë, atëherë duhet të aplikohen dispozitat e dënimit me gjobë siç është përcaktuar në nenin 46 të KPRK-se”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës se Apelit të siguruar nga KALLXO.com.

Një situatë e tillë sipas vendimit të Apelit krijon dilema se cili dënim duhet të ekzekutohet, andaj edhe është anuluar aktgjykimi i shkallës se parë.

“Meqenëse aktgjykimi i ankimuar është anuluar sipas detyrës zyrtare për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, ankesa e prokurorisë dhe të akuzuarit Pal Berisha lidhur me sanksionin penal, tani për tani është jolëndore”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.