Dosja e prokurorisë për rastin në shtëpinë e të moshuarve 'Orenda'

Seanca fillestare ndaj tri infermiereve për sulmin ndaj të moshuarës M. N. në rezidencën ‘Orenda’, e cila muaj më parë u shpërfaqë përmes një videoje, është mbajtur këtë javë.

Kallxo.com pati raportuar në kohë reale se në këtë seancë Aurona Pelaj e ka pranuar fajësinë, kurse Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi janë deklaruar të pafajshme.

Çka thotë aktakuza e ngritur nga prokurorja Lumturije Hoxha?

Më 28 Prill të këtij viti Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokuroria e rastit Lumturije Hoxha, ju kishte drejtuar Gjykatës së Pejës, Departamentit të Përgjithshëm me aktakuzë për: Aurona Pelajn, Altina Rexhepin dhe Remzije Kuqin, me dyshimin e bazuar mirë se më datë 29 tetor 2022 në ora 17:00 në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda” duke vepruar në bashkëkryerje të lartcekurat kanë përdorur dhunë ndaj viktimës së ndjeshme M.N..

Aktakuza përshkruan se fillimisht e pandehura Aurona Pelaj, merret vesh me të pandehurat Altina Rexhepi dhe Remzije Kuqi, që ta vënë nën kontroll viktimën, duke planifikuar përdorimin e forcës edhe pse e kanë ditur se viktima është e ndjeshme për shkak të moshës së shtyrë dhe një sëmundjeje prej të cilës ajo vuan.

Në dosje tutje thuhet se me kërkesë të të pandehurës Aurona Pelaj, e pandehura Remzije  Kuqi incizon, e pandehura Altina Rexhepi e kap për dorën e majtë viktimën duke e mbajtur, ndërsa pasi e njëjta e lëshon, e pandehura Aurona Pelaj e kap viktimën në të dyja duart në pjesët e parakrahut, duke e goditur disa herë me shuplaka në fytyrë si dhe duke e goditur tri herë me gjunjë në pjesën abdominale, ndërsa të gjitha këto veprime në videoincizim përcillen në sfond me të qeshura nga e pandehura Altina Rexhepi dhe Remzije Kuqi.

Sipas prokurorisë këto veprime sipas Kodit Penal përbëjnë veprën penale “Sulm” e cila në këtë rast është kryer në bashkëkryerje.

Kjo vepër sipas Kodit Penal dënohet deri në tri vite burgim.

Gjithashtu prokuroria ka kërkuar që për të pandehurat të jepet edhe dënimi plotësues që është ndalimi i ushtrimit të profesionit.

Prokuroria e Pejës ka listuar një listë të gjatë të rrethanave rënduese të cilat ka kërkuar nga Gjykata të merren për bazë për përcaktimin e dënimit në rast se të pandehurat shpallen fajtore, përfshirë: mënyrën e kryerjes së veprës penale; faktin se viktima ka qenë posaçërisht e pambrojtur në raport me të pandehurat; faktin se viktima i’u është besuar për kujdes dhe trajtim të pandehurave; moshën dhe gjendjen shëndetësore të përkeqësuar teje mase të viktimës; sjelljen e të pandehurave para dhe pas kryerjes së veprës penale, posaçërisht incizimin e kryerjes së veprës penale, mospendesa për kryerjen e veprës penale dhe mos shprehja e keqardhjes për viktimën.

Si rrethana lehtësuese të cilat do të ndikonin në zbutjen e dënimit për të pandehurat, prokuroria nuk e ka gjetur asnjë.

Kronologjia e rastit

Më 2 nëntor 2022 Prokuroria kishte marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurave dhe nga Gjykata e Pejës kishte kërkuar që të njëjtave t`u caktohet paraburgimi.

Gjykata në Pejë e aprovon kërkesën e prokurorisë për paraburgim dhe të njëjtave ua cakton këtë masë të sigurisë në kohëzgjatje prej një muaji, nga data 2 nëntor 2022, e deri më 1 dhjetor 2022.

Tutje, Gjykata Supreme e pati aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të të dyshuarës Rexhepi, avokatit Blerim Ademaj, duke vendosur që të pandehurave t’u ndërpritet menjëherë masa e paraburgimit dhe të njëjtat të mbrohen në liri.

Deklarimet e dëshmitarëve dhe të dyshuarave

Deklarata e të bijës së M. N., Zh. V.

Më 21 nëntor 2022 Zh. V., vajza e viktimës në prokurori jep deklaratë ku tregon se përkeqësimet për nënën e saj pas vendosjes së kësaj të fundit në rezidencën “Orenda” i kishte vërejtur pas 5-6 muajsh kur e moshuara kishte filluar të humbte peshë.

“Por gjithmonë ja leja [humbjen e peshës] asaj se nuk është lehtë kur ta ndërron vendqëndrimin, normalisht që mundet me ra në peshë, pritjet nga ana e stafit kanë qenë shumë të mira”- kishte thënë më tutje  Zh. V.

E bija e viktimës kishte treguar se kur e kishte kuptuar për ngjarjen e kishte telefonuar menjëherë institucionin në fjalë por që nuk kishte pranuar përgjigje dhe ishte nisur fizikisht për atje.

Ajo ishte shprehur se lidhur me rastin kërkon që të pandehurat të dënohen dhe gjithashtu ka kërkuar kompensim.

Deklarata e të pandehurës Aurona Pelaj

Më datën 2 nëntor 2022 në stacionit policor në Pejë ishte proceduar e dyshuara Aurona Pelaj e cila në mes tjerash kishte deklaruar se në rezidencë kishte filluar të punonte që nga qershori i vitit 2022, ku pastronte tualetet, bënte ushqim për banoret si dhe pastronte për ta.

Ajo ishte shprehur në stacion se pikërisht kur kishte filluar të punonte mjeku i kishte thënë se M. N. ka çrregullime mendore dhe nuk ishte për të qëndruar aty.

Ajo ka dhënë versionin e saj për ditën e sulmit, duke thënë se nuk kishte përdorur dhunën të madhe ndaj të moshuarës.

“Ditën kritike kur ka ndodhur rasti ka qenë shumë agresive dhe kohë pas kohe përjetonte kriza nervore dhe për këtë e kemi njoftuar doktorin, po të njëjtën ditë unë kam pasur për detyrë të ju ndërroj pampersat pasi që M. N. kishte kryer nevojën fiziologjike dhe pastaj me duart e saj e kishte ndotur edhe hapësirën. Kam dëgjuar një zhurmë tek banjo dhe kam shkuar që të shikoj, ku koleget e mia kishin pasur telashe gjatë pastrimit të saj dhe unë [kur] deshta të ju ndihmoj kolegëve, më sulmoj dhe më shkaktoj lëndime në dorë, ma ka shqyer dorezën, më ka sulmuar me shqelm e para, unë nuk kam përdor dhunë as forcë të madhe përveç se me ndalu sulmin e M. ndaj meje”- është shprehur Pelaj.

Aurona Pelaj kishte thënë se kjo ka qenë hera e parë që kishte vepruar kështu ndaj viktimës.

“Jam e vetëdijshme se veprimi im ka qenë i tepruar dhe nën afekt, por ajo e para më ka sulmuar dhe veprimet e mia kanë qenë paralajmëruese e jo me forcë të madhe, kjo ka qenë hera e parë që unë kam vepruar në këtë mënyrë”.

Pelaj kishte shprehur keqardhje për rastin në fjalë.

Deklarata e të pandehurës Altina Rexhepi

Më datën 2 nëntor 2022 në stacionin policor në Pejë ishte proceduar e dyshuara Altina Rexhepi, e cila kishte thënë se në ditën kritike deri sa ishte duke ja ndërruar pampersat viktimës, e njëjta kishte shfaqur agresivitet aty sipas saj kishte ndërhyrë Aurona Pelaj, e cila e kishte goditur disa herë M. N.

Rexhepi ishte shprehur se kishte tentuar që të ju tërheq vërejtën infermiereve për ta ndërprerë maltretimin e viktimës por që nuk ishe dëgjuar.

Në pyetjen që i është bërë në stacion se në video incizim shihet se ja kap dorën M. N., duke e ndihmuar kolegen në maltretimin e të moshuarës, gjithashtu edhe duke qeshur me atë lloj torture, e njëjta i shprehur se nuk kishte çfarë të deklaronte për ketë moment.

Rexhepi kishte shfaqur pendesë dhe keqardhje për mosraportimin e rastit.

Deklarata e të pandehurës Remzije Kuqi

E pandehura tjetër Remzije Kuqi e cila e kishte bërë incizimin e rastit në fjalë ka thënë se të njëjtin e kishte realizuar me insistimin e Aurona Pelajt dhe me qëllimin që të ja dorëzoj punëdhënësit të saj.

“Unë incizimin e kam bërë me qëllim që të ja dorëzoj punëdhënësit tim Anton Rrasaj. Plani im ka qenë që në momentin kur të vijë punëdhënësi nga Zvicra, incizimin të ja dorëzoj atij dhe këtë incizim e kam realizuar me insistimin e Aurona Pelaj, por nuk kam pas qëllim që në atë incizim të abuzoj apo të përfitoj në asnjë formë, por ta dorëzoj në polici apo prokurori. Telefonin tim e kam lënë pa mbikëqyrje në vendin tim të punës dhe besoj që këtë e ka marrë Aurona Pelaj dhe e njëjta mund ta ketë postuar atë incizim dhe se ky veprim i saj është bërë pa dijeninë time dhe pa lejen time”- ishte shprehur ajo.

Deklarata e dëshmitres G.N.

Dëshmitarja G. N. e kishte përshkruar ndryshe nga të pandehurat tjera viktimën M. N. Ajo për të kishte thënë se është grua e mirë, e dëgjueshme, e dashur dhe aspak agresive.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast – LINK