Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë ndaj Ardian Hoxhës i akuzuar për dhunë në familje

Seanca ndaj Ardian Hoxhës, i akuzuar për dhunë në familje ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Mitrovicës.

Hoxha po akuzohet se mbrëmjen e 23 gushtit të vitit të kaluar  në shtëpinë e tij në Zhabar të Mitrovicës kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, babait dhe dy vëllezërve të tij.

Sipas aktakuzës Hoxha më 23 gusht 2020, rreth orës 21, kishte shkuar në shtëpi i dehur me 1.94 promil alkool në gjak.

Tutje aktakuza shpjegon se fillimisht i akuzuari i kishte bërtitur, sharë dhe ofenduar  bashkëshorten M. ndërsa fëmijëve u kishte kërkuar telefonat dhe iu kishte thënë të shkonin në shtrat, e pastaj kishte filluar ta godiste dhe ta shtynte bashkëshorten.

Sipas aktakuzës, babai i të akuzuarit së bashku me dy djemtë e tjerë kishin shkuar për ta qetësuar të akuzuarin por i njëjti i kishte goditur edhe vëllezërit e tij.

Babai i të akuzuarit I., kishte ndërhyrë për ta ndarë të akuzuarin nga dy djemtë e tjerë e me atë rast i akuzuari kishte goditur edhe babanë e tij në kokë duke i shkaktuar gjakderdhje dhe lëndime në pjesën e poshtme të syrit.

Ndonëse aktakuza në këtë rast penal është ngritur më 4 nëntor të vitit 2020, Gjykata e Mitrovicës seancën gjyqësore  e ka caktuar pas  302 ditëve e edhe në këtë seancë nuk pati kushte për mbajtjen e saj.

Pasi mungoi prokurorja e rastit Sllavica Mavriq, e cila kishte njoftuar gjykatësen Semenov se gjendet në pushim mjekësor.

Në mungesë të prokurores Mavriq,  gjykimi u  shtye  në kohë të packatuar.