Nga një seancë e mëhershme për vrasjen e Mentor Zekajt. Foto: Kallxo.com

Dilemat rreth mjetit të mprehtë në vrasjen e Mentor Zekajt në Pejë

Në procesin gjyqësor kundër Kreshnik Halitit, i cili akuzohet për vrasjen e Mentor Zekajt, janë dëgjuar sot ekspertja mjekoligjore Birgita Curi dhe polici hetues Blerim Tigani.

Sipas aktakuzës, vrasja ishte kryer për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me një borxh në vlerë prej 77 mije eurove, të cilin i akuzuari Halitaj thuhet se ia kishte viktimës.

Prokuroria akuzon Kreshnik Halitin se më 6 mars 2017 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kishte goditur me armë disa herë tani të ndjerin Mentor Zekaj dhe një herë me brisk, duke e privuar nga jeta.

Kreshnik Haliti në korrik të vitit 2018 ishte dënuar me 22 vjet e 6 muaj burgim, por pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Duke shpjeguar raportin e vendit të ngjarjes ku është gjetur arma, polici hetues Blerim Tigani tha se çanta që i është gjetur viktimës ka qenë e vendosur në gjoks kurse rripi i çantës rreth qafës.

Sipas hetuesit, çanta ka qenë e hapur kurse dora e djathë e viktimës ka qenë e vendosur mbi çantë.

Dëshmitari Tigani duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të rastit Ardian Hajdaraj, tregoi për gjërat që janë gjetur në çantë.

Sipas tij aty, brenda çantës ka qenë një kuletë ndërsa brenda kuletës janë gjetur bankënotat 1 x 50 franga, 1x 10 franga, 1x 10 dollarë, 1 x 1 dollar, 1 x 5 euro, 2 x 2 euro, 1 x 1 euro, 3 x 0.50 euro dhe disa centë, një patent-shoferi në emër të Mentor Zekajt, letërnjoftimi në emër të tij, disa kartela bankare, letërnjoftimi ne emër të Driton Zekaj dhe një telefon i llojit IPhone me ngjyrë të zezë.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Kreshnik Haliti, avokati Besnik Berisha, se ”ju nuk e dini se a ka pasur sende të tjera”, dëshmitari u përgjigj se “kjo është gjendja faktike që ne e kemi gjetur”.

“Për më herët, nuk kam përgjigje. Nuk kam dijeni për më herët”, u përgjigj dëshmitari.

Ekspertja e mjekësisë ligjore Birgita Curri duke treguar për dëmtimet e viktimës tha se përpos dëmtimeve me armë zjarri, dëmtimi që ka pësuar viktima që është konstatuar si plagë therëse në pjesën e majtë të gjoksit, besohet qe është shkaktuar nga një mjet i fortë mprehës.

Duke iu referuar raportit të përpiluar, ajo tha se thellësia kësaj plage nuk është matur, por nuk ka prekur ndonjë organ vital.

Ekspertja Curri gjatë elaborimit të ekspertizës mjekoligjore tha se asnjëra nga plagët si e vetme nuk e kishte shkaktuar pasojën, por ka qenë një plagë që i kishte shkaktuar gjakderdhjen e kjo, tha ajo, i kishte shkaktuar vdekjen Mentor Zekajt.

Trupi gjykues i lexoi ekspertes një pjesë të deklaratës së saj të dhënë në seancën e kaluar, ku kishte deklaruar se “karakteristika e plagës na ka dhënë besueshmërinë se mund të jete mjet në formë të thikës, e duke përjashtuar këtu shafcigerin e disa mjeteve të punës”.

Ekspertja tha se mbetet në këtë deklarim duke shtuar se si  mjet punës e ka konsideruar shrafcigerin dhe mjetet tjera të punës me forme të rrumbullaktë.

Duke iu referuar kësaj përgjigjeje, avokati Berisha pyeti eksperten se a ka mundësi që dëmtimi të jetë shkaktuar më një mjet tjetër e jo vetëm me thikë.

“Po me diçka tjetër nëse e ka një teh të mbrehtë”, u përgjigj ajo.

Mjet i mprehtë ajo tha se është mjeti qe e ka një teh i cili i dëmton ose i pret indet në tentativën e parë, pa pasur nevojë për t’i dhënë shumë shtytje.

Duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Berisha, Curri tha se pajtohet se nuk është e mundur të përcaktohet me saktësi nëse plaga është shkaktuar nga rënia në një mjet të mprehtë apo me ushtrimin e forcës.

Prokurori i propozoi Gjykatës që si provë të administrohet një raport plotësues i datës 8 prill  2019, lidhur me listingun e thirrjeve të datës 5 prill të vitit 2017.

Por avokati Berisha kërkoi nga trupi gjykues që një propozim i tillë të refuzohet sepse, sipas tij, me rastin e ngritjes se aktakuzës përfundon autorizimi i prokurorit për të marrë çfarëdo prove tjetër, duke shtuar se Prokuroria referuar kësaj prove ka vazhduar hetimet duke lëshuar urdhëresë për kompaninë telefonike.

Por Prokurori Hajdaraj tha se ky raport ka të bëjë me masat e fshehta të lëshuara më parë nga gjyqtari i procedurës paraprake, raporti ekziston në shkresat e lëndës, andaj nuk është një veprim i ri hetimor.

Avokati Berisha tha se urdhëresa është lëshuar për kompani telefonike “IPKO”, dhe që provat nga momenti i fillimit të shqyrtimit gjyqësor sigurohen përmes gjykatës nga cilado palë.

Lidhur me këtë propozim trupi gjykues do të vendosë me vendim të veçantë.

Trupi gjykues në këtë rast përbehet nga kryetarja gjyqtarja Lumturije Muhaxheri, gjyqtarët Sami Sharraxhiu dhe Kadri Prekaj.

22 vjet e gjysmë burg për vrasjen e Mentor Zekajt në Pejë