Dështon seanca ndaj të akuzuarve për detyrim në tentativë ndaj pronarit të 'Kosova Reisen'

Shtyhet gjykimi ndaj tre të akuzuarve për veprën penale të detyrimit në tentativë.

Të akuzuarit në këtë rast janë Nesret Salihu, Naser Sefsaliu dhe Avdyl Idrizaj, të cilët dyshohet se kanë tentuar të marrin 500 mijë euro nga agjencia turistike “Kosova Reisen”, me pronar Ardian Sadrija.

Avdyl Idrizaj, po akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Sot, planifikohej të kundërshtohej aktakuza e Prokurorisë, mirëpo seanca dështoi, pasi që nuk u plotësuan kushtet ligjore për mbajtjen e saj.

Arsyeja e dështimit ishte mosprezenca e të akuzuarit Avdyl Idrizaj, i cili gjendej në Zvicër dhe punëdhënësi i tij nuk e kishte lejuar për të ardhur në Kosovë.

Andaj avokati i tij Isa Osdautaj, sot propozoi që seanca e sotme të shtyhet në fillim të muajit janar 2020, me arsyetimin se në këtë kohë vjen i akuzuari prej botës së jashtme.

Ndërkaq, gjykatësja Diana Sina, caktoj datën 6 janar të vitit të ardhshëm për mbajtjen e seancës së radhës.

Të pranishëm në seancë ishin prokurorja Dëshire Jusaj, të akuzuarit Nesret Salihu e Naser Sefsaliu dhe avokatët e tyre Ilir Hoxha dhe Muhamet Shala.

Sipas aktakuzës, në janar të vitit 2017, tre të akuzuarit kanë hyrë në agjencinë turistike “Kosova Reisen” kanë kërkuar pronarin Ardian Sadrija dhe të njëjtit kanë tentuar t’ia marrin shumën prej 500 mijë euro.

Këtë shumë ata kanë dashur ta marrin kinse si borxh i mëparshëm i të dëmtuarit Ardian Sadrija.

Aktakuza thotë se kur të akuzuarit kishin hyrë në agjencinë turistike fillimisht kishin takuar të afërmin e të dëmtuarit, Besfort Sadrija dhe i kanë thënë “thuaj atij se duhet t`i qetë 500 mijë euro se mi ka borxh”.

Në aktakuzë përshkruhet se kinse këtë shumë babai i të dëmtuarit Ardian Sadrija, Rexhep Sadrija ia kishte marrë borxh të akuzuarit Avdyl Idrizaj.

Atë ditë i akuzuari Avdyl Idrizaj, në veturë e kishte mbajtur një armë, e cila i është gjetur në derën e shoferit dhe për të cilën nuk kishte leje.