Foto: Kallxo.com

Dështon seanca, mungojnë disa të akuzuar në lidhje me ndërtimet në Fushë Kosovë

Dështon të mbahet seanca gjyqësore, ndaj drejtorit të inspektoratit në Komunës e Fushë Kosovës, Afrim Krasniqi dhe inspektoreve të ndërtimit, Valbona Ferati, Doruntina Dumani dhe Mobere Hysenit të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës.

Shkak për mos mbajtjen e seancës ishte mungesa e të akuzuarve Afrim Krasniqit, Valbona Feratit dhe Mobere Hysenit, kurse prezentë në sallën e gjykatës ishte vetëm e akuzuara Doruntina Dumani me mbrojtësen e saj Albana Kelmendi.

Kurse kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi bëri të ditur se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës dhe seancën e radhës e caktoi për datën 22 tetor.

Sipas aktakuzës, të akuzuarat Mobere Hyseni dhe Doruntina Dumani në cilësinë e inspektoreve të ndërtimit në Drejtorinë e Inspeksionit në Fushë Kosovë përgjegjëse për rrugën “Shefki Kuleta” dhe “Nëna Terezë”, në Fushë Kosovë nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare që kanë qenë të obliguara ta kryejnë në bazë të detyrave të tyre zyrtare.

Sipas prokurorisë, Doruntina Dumani dhe Mobere Hyseni, gjatë vizitës së punishtes më 30 maj 2014, kanë marrë pjesë në vendosjen e pikave të ndërtimit për ndërtimin e objektit numër 1, sipas lejes ndërtimore të “Princesha Construction”, me ç’rast kanë bërë zhvendosjen e këtij objekti nga pikat e parapara sipas lejes dhe vijës ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria për Planifikim Urban e Komunës së Fushë Kosovës.

Kurse Valbona Ferati, Doruntina Dumani si inspektore të ndërtimit, dhe Afrim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të departamentit të ndërtimit, gjatë periudhës kohore të vitit 2015-2016, nuk i kanë ndërprerë punimet kundërligjore dhe nuk kanë nxjerrë vendim për rrënim, duke i mundësuar në këtë mënyrë “Princesha Construction” të përfitojë nga ndërtimet e kundërligjshme në dy objekte banesore tetë katëshe i cili ka pasur tejkalimi të lejes ndërtimore.

Tutje në aktakuzë thuhet se të akuzuarat Mobere Hyseni, Doruntina Dumani dhe Valbona Ferati, i kishin mundësuar investitorit të vazhdojnë ndërtimin e objekteve me tejkalim të lejes, t’i përfundojnë ndërtimet dhe të pajisen me leje plotësuese, duke mos respektuar lejet ndërtimore, për të cilin tejkalim ka qenë në njohuri edhe i akuzuari  Afrim Krasniqi, mirëpo i njëjti nuk ka ndërmarr asgjë për të parandaluar këtë ndërtim.

Sipas aktakuzës  të akuzuarat  Valbona Ferati dhe Doruntina Dumani kanë hartuar edhe procesverbale dhe vendime për rrënim edhe atë jo në fazën e hershme të ndërtimit, por këtë e kanë bërë në kohën kur objektet ishin në fazën e avancuar të ndërtimit.

Të akuzuarit prokuroria i ngarkon me veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.