Foto: Kallxo.com

Deputeti pranon fajësinë për gjuajtje me armë

Rasim Demiri e ka zëvendësuar sot paradite ulësen e deputetit me një ulëse në gjykatë në cilësinë e të akuzuarit.

Deputeti Demiri para Gjykatës së Prizrenit ka pranuar fajësinë për veprën penale të përdorimit të armës.

Ai një ditë më parë ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Shtetit.

Demiri, që sot është deputet në Kuvendin e Kosovës nga partia VAKAT, në qeverisjen e kaluar të udhëhequr nga Ramush Haradinaj kishte mbajtur pozitën e ministrit të Zhvillimit Rajonal.

Ai akuzohet se më 30 mars të këtij viti, rreth orës 16:00 në fshatin Pouskë të Prizrenit, kishte përdorur armë zjarri – pushkë gjysmë automatike.

Sipas Prokurorisë, deputeti Rasim Demiri dhe i bashkëakuzuari Mersit Pangji më 30 mars kishin dalë në një fushë dhe kishin vendosur një shënjestër për të gjuajtur me pushkë gjysmë automatike.

Rasim Demiri akuzohet për veprën penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Pas pranimit të fajësisë, gjykata menjëherë sot do të shpallë aktgjykimin ndaj deputetit Rasim Demiri.

Ndërsa i bashkëakuzuari Mersit Pangji akuzohet për dy vepra penale, mbajtja në pronësi kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve, respektivisht të pushkës gjysmë automatike dhe 19 fishekë të kalibrit të panjohur, dhe për veprën penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Edhe Pangji ka pranuar fajësinë për të dy veprat penale.