Dënohet gruaja e cila ishte e martuar me tre burra të ISIS-it

Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtore M. T., e akuzuar për veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë, ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake, ose para policore në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

E akuzuara M. T. u dënua me 3 vite burgim me kusht. Dënimi ndaj saj nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej 3 viteve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk kryen vepër të re penale.

“Nëse e pandehura gjatë kohës së verifikimit të dënimit me burg me kusht, kryen vepër të re penale, dënimi me burgim me kusht do t’i zëvendësohet me dënim me burg, e në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në masën e arrestit shtëpiak”, tha më tutje gjyqtari Valon Kurtaj.

Gjykata të pandehurën M. T. e detyroi të përmbushë detyrimin – vizitë te psikologu ose të këshillues të tjerë dhe veprime në pajtim me rekomandimet e tyre dhe atë në kohëzgjatje prej 3 viteve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Poashtu, Gjykata urdhëroi Shërbimi Sprovues të Kosovës të bëjë mbikëqyrjen e dënimit me kusht dhe detyrimit të shqiptuar ndaj të pandehurës.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se pasi që i fejuari i të akuzuarës M. T., kishte qenë në Siri nga muaji shkurt 2014, duke luftuar për organizatën terroriste ISIS, e akuzuara i është bashkangjitur edhe pse e ka ditur se veprimi i tillë është i kundërligjshëm.

Akti akuzues shpjegon se më 20.6.2014 përmes Aeroporti Ndërkombëtar të Prishtinës, ka shkuar për në Stamboll dhe me aeroplanin tjetër menjëherë ka vazhduar për në Gaziantep, e pastaj nga aty me një automjet kombi ka kaluar në Siri, ku i është bashkangjitur ISIS-it, dhe ka marrë pjesë në veprimtarinë e kësaj organizate.

Më tutje aktakuza shpjegon se e akuzuara duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave, që shteti Islamik i kishte ofruar, e akuzuara iu kishte ofruar shërbime logjistike ushtarëve së pari Migjen Latifit, e pas vrasjes së tij, bashkëshortit të dytë Sirian të quajtur Ejmen, e pas vrasjes së të njëjtit edhe bashkëshortit të tretë Libianit të quajtur Salih, të cilët aktivisht kishin luftuar.

Me këtë prokuroria po e ngarkon të akuzuarën M. T. se ka kryer veprën penale, bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

E akuzuara që iu bashkua ISIS-it: Jam mashtru prej burrit

 

.