Foto: Kallxo.com

Katër palë zgjedhjeve kaluan, gjykata merret me mashtrimet në zgjedhjet e vitit 2010

Tash kur kanë mbetur më pak se dy javë deri në ditën e zgjedhjeve të vitit 2019, kryesuesi i komisionit të qendrës së votimit në shkollën “Shaban Shala” në Podujevë, Sabedin Namani së bashku me anëtaret e tjerë Milot Mustafa, Shaip Bajrami, Ardita Gashi dhe Rizah Muqolli po qëndrojnë në bankën e të akuzuarve me akuzat se falsifikuan 711 vota në zgjedhjet e vitit 2010.

Ndonëse kanë kaluar 9 vite që nga zgjedhjet e vitit 2010, seanca e sotme nuk arriti të mbahej për shkak të mungesës së të akuzuarve Milot Mustafa dhe Ardita Gashit.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, Ardita Gashi ka kërkuar shtyrjen e seancës së sotme me arsyetimin se gjendet jashtë vendit. Ndërsa, për të pandehurin Milot Mustafa, gjykata tha se nuk ka pranuar ndonjë njoftim nëse i është dërguar ftesa së bashku me aktakuzën për të marrë pjesë në shqyrtimin e sotëm apo jo.

Në një situatë të tillë, Ibrahimi vendosi që seanca e radhës të mbahet më 15 nëntor, më shumë se një muaj pasi të mbahen edhe zgjedhjet e katërta parlamentare prej kohës kur akuzohen të pandehurit në këtë rast.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit në zgjedhjet e vitit 2010, në bazë të marrëveshjes paraprake me qëllim të ndryshimit të rezultatit të zgjedhjeve, kishin falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve.

Ata akuzohen se kanë shtuar vota për kandidatë të ndryshëm brenda një subjekti politik, duke ua hequr votat njëkohësisht kandidatëve tjerë në listë.

Sipas aktakuzës, ata kanë falsifikuar 711 vota duke ia numëruar kandidatëve të tyre të preferuar.