Foto: Kallxo.com

Dënohet edhe një grua kosovare që iu kishte bashkuar ISIS-it

Fatbardhë Demolli, e akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grupet terroriste, u shpallë fajtore dhe u dënua me 2 vite burgim me kusht.

Dënimi ndaj saj nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës së verifikimit në kohëzgjatje prej 3 viteve ajo nuk kryen vepër tjetër penale.

Gjyqtarja Shadije Gërguri e urdhëroi të akuzuarën që të përmbushë detyrimin për vizitë te psikologu ose te këshilluesit e tjerë, në pajtim me rekomandimet e tyre në kohëzgjatje për dy vjet e gjysmë.

Por gjykata e ka liruar Demollin nga shpenzimet procedurale për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Aktakuza shpjegon se Fatbardhë Demolli, me qëllim që të marrë pjesë në veprimtarinë e grupeve terroriste ISIS në Siri, më 22 shtator 2014, nga Prishtina ishte nisur në drejtim të pikës kufitare të Hanit të Elezit, ishte larguar nga Kosova, dhe nga Aeroporti i Shkupit ka udhëtuar drejt Stambollit dhe më tutje drejt Sirisë ku i ishte bashkangjitur burrit të saj Fidan Demollit.

Aktakuza sqaron Fidan Demolli vepronte në kuadër të grupit terrorist ISIS,  ndërsa Fatbardhë Demolli kishte qëndruar atje deri në kohën kur është burgosur nga forcat kurde, dhe më 19 prill të vitit të kaluar ishte deportuar në Kosovë.

Aktakuza e prokurorit Haki Gecaj, e ngarkon Fatbardhë Demollin për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Në seancën fillestare të mbajtur këtë të mërkurë ajo e kishte pranuar fajësinë.

Fatbardhë Demolli e pranon në gjyq se iu kishte bashkangjitur ISIS-it