Gjykimi ndaj Fatbardhë Demollit për pjesëmarrje në grupin terrorist ISIS - 08.01.2020

Fatbardhë Demolli e pranon në gjyq se iu kishte bashkangjitur ISIS-it

Fatbardhë Demolli, e akuzuar nga Prokuroria Speciale, për pjesëmarrje dhe organizim në grupet terroriste ka dalë sot para gjyqit në Gjykatën e Prishtinës.

E njëjta e ka pranuar fajësinë pas leximit ë aktakuzës nga prokurori special Haki Gecaj.

Aktakuza shpjegon se si e akuzuara Fatbardhë Demolli, me qëllim që të marrë pjesë në veprimtarinë e grupeve terroriste ISIS në Siri, me datën 22.9.2014, nga Prishtina ishte nisur në drejtim të pikës kufitare të Hanit të Elezit, ishte larguar nga Kosova, dhe nga aeroporti i Shkupit ka udhëtuar drejt Stambollit dhe më tutje drejt Sirisë ku i ishte bashkangjitur burrit të saj Fidan Demollit.

Aktakuza sqaron se ky i fundit, Fidan Demolli vepronte në kuadër të grupit terrorist ISIS, ku ka qëndruar atje deri në kohën kur është burgosur nga Forcat Kurde, dhe me datë 19.4.2019 është deportuar në Kosovë.

Aktakuza e prokurorit Haki Gecaj, e ngarkon Fatbardhë Demollin për veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, caktoi shpalljen e aktgjykimit lidhur me këtë vepër penale më 10.1.2020.