Besnik Salihu, i akuzuar për vrasjen e Salih Salihut. Foto në seancën gjyqësore më 07.06.2024 | Foto: KALLXO.com

‘Buka jote po t’vrajke’ - Rrëfimi në Gjykatë i bashkëshortes se si kishe kuptuar vrasjen e burrit të tij

“Nanë a më premton që nuk mërzitesh, baba ka vdekur, ka pas infarkt.”

Këto ishin fjalët që e bija ia kishte thënë Emine Salihut, në momentin kur ishte njoftuar se burri i saj ka vdekur, e për të cilin prokuroria pretendon se është vrarë nga Besnik Salihu.

Besnik Salihu akuzohet nga prokuroria për vrasje të rëndë të Salih Salihu dhe për armëmbajtje pa leje, në marsin e vitit 2023 në Dumnicë të Podujevës.

Pos Besnikut, i akuzuar është edhe vëllai i tij, Ilaz Salihu për ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

Sipas Prokurorisë, Salih Salihu ishte vrarë në mënyrë dinake, pas një mosmarrëveshje paraprake që kishte pasur me viktimën, Besnik Salihu.

Në seancën gjyqësore të datës 07.06.2024, dëshmoi Emine Salihu, gruaja e të ndjerit.

Ajo para trupit gjykues rrëfeu momentin se si kishte kuptuar se bashkëshorti i saj ka vdekur.

Emine Salihu thotë se fillimisht nuk i kishin treguar ngjarjen e vërtetë, por se i kishin thënë që bashkëshorti i saj kishte pasur infarkt dhe kishte vdekur. Këtë lajm ia kishte thënë e bija.

Dëshmitarja para trupit gjykues e konfirmoi se e njeh të akuzuarin, pasi është kushëriri i bashkëshortit të saj.

“Buka e jote po t’vrajke”- tha dëshmitarja Salihu, duke pretenduar se burri i saj i kishte ndihmuar me gjëra ushqimore dhe ndihma financiare të akuzuarve.

Dëshmitarja tha para gjykatësëve se bashkëshorti i saj dhe i akuzuari Besnik Salihu nuk kanë komunikuar me njëri-tjeterit për gati dy vite rresht, deri kur kishte ndodhur vrasja.

Dosja e Prokurorisë – Si ndodhi vrasja ?

Sipas aktakuzës së prokurorisë, e cila është ngritur më 26.01.2024, Besnik Salihu akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, kurse vëllai i tij akuzohet si i kishte dhënë ndihmë Besnikut për ta kryer veprën penale.

Sipas dosjes, Besnik Salihu më 26.03.2023 në fshatin Dumnicë të Podujevës, pas një mosmarrëveshje mes tij dhe viktimës në mënyrë dinake papritur i është afruar të ndjerit për ta privuar nga jeta.

Me të afruar afër tij, sipas Prokurorisë, Besnik Salihu e kishte qëlluar dy herë me pistoletë në kokë viktimën. Pasi ka qëlluar dy herë në kokë të ndjerin, Besnik Salihu ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa vëllai i tij, që akuzohet për dhënie të ndihmës për kryerjen e veprës penale, sipas prokurorisë, i kishte premtuar të akuzuarit se do t’i ndihmont për t’i zhdukuar provat e rastit.

Sipas prokurorisë, ndihma që i ka dhënë Ilazi , vëllait të tij, Besnikut, konsiston në këshill-dhënien, duke e udhëzuar që pas kryerjes së aktit t’i asgjësonte rrobat dhe të bënte fshehjen me të cilin ishte kryer akti.