Arsyetimi i gjykatës për dënimin e asamblistit të PDK-së në Gjilan
Gjykata Themelore në Gjilan, në tetor të këtij viti ka shpallur fajtor Këshilltarin e Asamblesë Komunale në Gjilan nga rradhët e PDK-së, Riza Abdyli, i akuzuar nga Prokuroria për mos deklarim të pasurisë.
Gjykata të akuzuarit Abdyli, i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën 600 Euro.
Kujtojmë se i pandehuri Abdyli edhe në dhjetor të vitit 2019 ka pasur aktakuzë për veprën penale të njejtë dhe është gjetur fajtor nga Gjykata, duke i shqiptuar dënim të njëjtë sikurse këtë vit, pra dënim me gjobë në shumën 600 euro.
Në aktgjykimin e datës 13 tetor 2021, ndër të tjera thuhet se gjykata, pas dëgjimit të deklaratave të palëve lidhur me dënimin, ka shpallur fajtor të akuzuarin Riza Abdyli për shkak të veprës penale mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, ngase veprimet e të njëjtit i përmbajnë të gjitha tiparet e veprës penale dhe se për të njëjtën është dhe penalisht përgjegjës.
Tutje në aktgjykim thuhet se sipas bindjes së gjyqtarit të vetëm gjykues, dënimi i shqiptuar ndaj të pandehurit Riza Abdyli është dënim i drejtë dhe në harmoni me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të pandehurit.
Gjykata, me rastin e shqiptimit të dënimit, ka vlerësuar se duhet të pranohet pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurit Riza Abdyli dhe të njëjtit t`i shqiptohet dënim si në dispozitiv të aktgjykimit, ngase duke parasysh të gjitha rrethanat dhe provat ky dënim do të jetë dënim i drejtë dhe në harmoni me peshën e veprës penale.
Tutje në aktgjykim, Gjykata për të akuzuarin Riza Abdyli si rrethanë lehtësuese ka vlerësuar faktin se i akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, i ka premtuar givkatës që në të ardhmen nuk do të kryej vepra tjera penale. Ndërsa si rrethana rënduese ka marrë për bazë rrezikshmërinë shoqërore të kësaj vepre penale dhe përgjegjësinë penale.
Ndryshe, sipas aktakuzës, Riza Abdyli, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik – këshilltar i Asamblesë Komunale në Gjilan, duke qenë i detyruar me ligj të bëjë deklarimin e pasurisë, për vitin 2019 dhe atë brenda periudhës kohore prej datës 01.03.2020 e deri më datë 31.03.2020 dhe afatin e zgjatur për shkak të pandemisë deri më datë 19.06.2020, nuk e ka bërë atë.
Tutje sipas aktakuzes, i akuzuari nuk e ka deklaruar pasurinë e tij edhe përkundër faktit që me kohë ka qenë i informuar për obligimin e deklarimit të pasurisë sipas afatit ligjor deri më 31.03.2020 dhe afatin e zgjatur deri më 19.06.2020.