Apeli liron nga akuza Adem Grabovcin për rastin “Pronto”

Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin sot ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj Adem Grabovcit dhe Sedat Gashit në rastin e njohur “Pronto”.

Ndërsa ka gjetur fajtor Ilhami Gashin i cili si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka kryer veprën penale shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Apeli Ilhami Gashit i ka shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muajsh burgim dhe dënim plotësues ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për në periudhë prej dy vitesh.

Kujtojmë se të akuzuarit e rastit “Pronto” më 3 janar 2020 Gjykata e Prishtinës i kishte liruar nga akuza.

Por sipas ankesës së Prokurorisë Speciale Apeli kishte marrë vendim dënues për Adem Grabovcin dhe disa të akuzuar të tjerë.

Më pas me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë nga mbrojtësit e të akuzuarave në rastin “Pronto”  lënda ishte dërguar në Gjykatën Supreme e cila vendosi që rasti të rivendosej e të kthehej në Apel.

Për rastin “Pronto” të akuzuar ishin njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, ish-deputeti Adem Grabovci, ish ministri Besim Beqaj, ish-deputeti Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, ish këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Aktakuzën për këtë rast Prokuroria Speciale e kishte ngritur në prill të vitit 2018.

Sipas Prokurorisë Speciale, 11 personat e lartpërmendur akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: Drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Ky rast ishte publikuar nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës, thuhej në komunikatën e Prokurorisë Speciale.