Pasaporta

Dyshohet se i lëshoi pasaportë dhe letërnjoftim të kërkuarit nga Interpoli në emër të dikujt tjetër, aktakuzë ndaj zyrtarit të ARC-së

Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj një zyrtari të Agjencisë për Regjistrim Civil nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Zyrtari me iniciale D.B dyshohet se i ka ndihmuar një personi nga Shqipëria, i cili ishte i kërkuar nga Interpoli për narkotikë që të pajiset me letërnjoftim dhe pasaportë në emër të dëmtuarit A.N. Po ashtu, sipas Prokurorisë, i njëjti dyshohet se ka keqpërdorur të dhënat personale edhe të shtatë personave të tjerë.

“Personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i kërkuar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i ka sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N., duke e pajisur me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës me të dhënat e të dëmtuarit A.N” – theksohet në njoftim.

Sipas Prokurorisë së Prishtinës, i njëjti dyshohet se këto vepra i ka bërë gjatë periudhës 15 tetor 2021 – 18 maj 2023, në cilësinë e zyrtarit administrativ, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarje të dokumenteve personale.

“I pandehuri D.B, në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale (letërnjoftim, patentë shoferë dhe pasaportë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, në vazhdimësi i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin primar dhe sekondar për pajisje me dokumentet personale”- vazhdon njoftimi i prokurorisë.

Prokuroria ka propozuar që dënimit meritor sipas ligjit, t’i shtohet edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbime publike.