LDK kërkon mbështetjen e Francës

Deputetët e LDK-së, Armend Zemaj, Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku kanë takuar mbrëmë drejtoreshën e Departamentit për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Florence Mangin.

Në komunikatën për medie të LDK-së thuhet se ata e falënderuan Florence Manginin për bashkëpunimin që ka ofruar shteti francez deri më tani për Kosovë, dhe gjithashtu e njoftuan atë lidhur me situatën aktuale politike në vend, në veçanti lidhur me temën e Dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën temë e ritheksuan edhe një herë qëndrimin e LDK-së.

“Gjithashtu në këtë takim u bisedua dhe për proceset e tjera eurointegruese në për të cilat po kalon vendi dhe me këtë rast, deputetët e GP-LDK-së kërkuan mbështetjen e mëtejme të Francës sa i përket këtyre proceseve. Ndërsa, znj. Mangin shprehu gatishmërinë e shtetit francez për thellimin e këtij bashkëpunimi për të qenë çdo herë afër institucioneve të vendit në rrugëtimin drejt integrimit evropian”, thuhet në komunikatë.

Drejtoresha e Departamentit për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Florence Mangin ka zhvilluar sot takim me kryeparlamentarin Kadri Veseli, dhe ishte e paraparë që të diskutohej për marrëdhëniet ndërshtetërore, për qëndrimin e Francës sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.