Zyrtari i gjendjes civile nën akuzë për falsifikim dokumenti

Mirat Shala, Koordinator i Gjendjes Civile në Mamushë, po akuzohet se ka falsifikuar një dokument zyrtar të aktvdekjes.

Sipas prokurorisë në shkurt të vitit 2016, Shala ka përpiluar aktvdekjen për të ndjerin Ramadan Mazreku, duke i përfshirë si trashëgimtar bashkëshorten e të ndjerit dhe 4 djemtë e tij.

Por, sipas aktakuzës, zyrtari Mirat Shala në këtë aktvdekje nuk e ka përfshirë edhe trashëgimtarin tjetër  Zylfi Shanli, , e për këtë veprim ai po akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, aktvdekja e përpiluar nga i akuzuari Shala është përdorur në ndërkohë si provë për trashëgimi te noteri.

Bashkë me Koordinatorin e Gjendjes Civile, po akuzohet edhe i pandehuri Arif Mazreku, i cili  sipas prokurorisë ka kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së rreme.

Aktakuza thotë se i njëjti ka vënë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë.

I njëjti sipas prokurorisë pas datës 2 Shkurt të vitit 2016, ka shkuar në një Zyre Noterie në Mamushë, dhe ka dorëzuar aktvdekjen e përpiluar nga i bashkakuzuari Mirat Shala si zyrtar i Gjendjes Civile, e në bazë të aktvdekjes, zyra noteriale ka sjellur aktvendim të trashëgimisë, pa qenë i përfshirë edhe trashëgimtari Zylfi Shanli.

Sot që të dy të akuzuarit dolën para Gjykatës, por asnjëri nga të akuzuarit nuk kishte të angazhuar avokat, e që të dy kërkuan që t’iu angazhohet avokat sipas detyrës zyrtare.

Shqyrtimi fillestar i ri caktua  për datën 31 tetor, e të akuzuarve Gjykata do t’u caktojë avokat mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

I akuzuari Mirat Shala, në deklaratën e tij në prokurori ka thënë se nuk e konsideron se ka qenë detyrim i tij zyrtar që pasi e ka kuptuar që nuk është përfshirë një trashëgimtar në aktvdekje të kërkonte nga noteri që të mos vepronte në zhvillim të procedurës së trashëgimisë.

I njëjti para Prokurorit ka theksuar se ndoshta ishte treguar i pakujdesshëm në rastin konkret, por se nuk ka pasur qëllim që ndokujt t’i bëj dëm apo të ndihmojë dikë për të përfituar diçka, e i njëjti mund të bëjë korrigjimin e aktvdekjes nëse trashëgimtarët e shohin të arsyeshme.

Por në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se i akuzuari Mirat Shala si zyrtar i gjendjes civile sipas detyrës zyrtare ka qenë i detyruar ta verifikojë se kush janë trashëgimtarët ligjor .