Zyrtarët e LDK-së heshtin rreth ngecjes së bisedimeve për koalicion qeveritar

Shumica e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk kanë pranuar të deklarohen për ngecjet në bisedimet për marrëveshjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV). 

KALLXO.com gjatë ditës ka provuar të marrë përgjigje për datën se kur do të mbahet takimi i ardhshëm si dhe pretendimet që ‘ngecjet’ kanë ardhur si pasojë e kërkesës së LDK-së që ta marrë Ministrinë e Punëve të Brendshme. 

Ndërkaq, zyrtarë të tjerë kanë hezituar të përgjigjen specifikisht për këtë çështje.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë që për përgjigje për këtë temë duhet të marrim nga zyra për media e partisë.

“Nuk isha përgjigj, nëse ka mundësi. Drejtoju vetëm zyrës së LDK-së, nuk isha lëshu në këtë fazë në trajtim të kësaj teme”, ka thënë ai për KALLXO.com.

LDK ka lëshuar një komunikatë gjatë ditë në të cilën është shprehur se diskutimet me Lëvizjen Vetëvendosje do të vazhdojnë pa iu nënshtruar presioneve.

“Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional”, thuhet në komunikatë.

Edhe Hykmete Bajrami për KALLXO.com ka thënë se nuk e ka asnjë koment duke shtuar se ka ditë që nuk ka qenë në zyrat e partisë së saj.

Kurse, Arben Gashi ka thënë se nuk ka përgjigje, duke thënë që ‘për këtë punë flet zëdhënësi’.

Zëdhënësi Besian Mustafa, nga ana tjetër, nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

As nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, nuk ka dashur të komentojë shumë mbi takimet për krijimin e koalicionit qeverisës me VV-në.

Ai tha se duhet të pyeten drejtpërdrejt kryetarët e dy subjekteve politike

“Çdo pyetje tjetër duhet t’u bëhet këtyre dyve (Mustafës dhe Kurtit) dhe askujt tjetër. Unë kështu e shoh”, tha ai.

Kurse deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se në diskutimet për krijimin e koalicionit LDK-LVV duhet të diskutohet edhe posti i Presidentit të shtetit.

“Nëse nuk përfshihet (posti i Presidentit), atëherë është naivitet politik nëse nuk përfshihet kjo pikë sepse pozita e presidentit është edhe pozitë politike dhe partitë që tani e kanë shumicën nëse këtë nuk e diskutojnë atëherë është naivitet politik apo është “me futë kokën si makushi në rërë” sepse ky problem shumë shpejt mas një viti vjen. Duhet diskutohet haptazi, qartë dhe duhet shikohet cila është zgjidhja më e mirë për Kosovën për këtë post”, thotë Avdyli.

Sa i përket ndarjes së ministrive brenda ekzekutivit kosovar, ai tha se nuk beson që ka filluar të flitet për ndarjen e këtyre posteve qeveritare.

“Nuk e besoj që ka ardhë deri te ajo pikë meqenëse si ka mundësi që është kërkuar ministri e caktuar përderisa nuk është vendosë për formulën e ndarjes. Pasi të vendoset për formulën e ndarjes së përgjegjësive atëherë tani shkohet në emra të përveçëm për ministri”, ka thënë Haxhi Avdyli në një bisedë të shkurtër për KALLXO.com.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarët tjerë të lartë të LDK-së Vjosa Osmani, Kujtim Shala, Anton Quni, Lumir Abdixhiku, Avdullah Hoti, Besian Mustafa, Armend Zemaj, Agim Veliu, Lutfi Haziri dhe Ismet Beqiri por ata kanë qenë të paqasshëm. 

Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk po arrijnë dot që të finalizojnë koalicionin e përbashkët qeverisës, ndonëse nënshkrimi i saj u paralajmërua të ndodhë në fillim të kësaj jave.

Në fund të javës së kaluar, partitë thanë se e kanë harmonizuar 100% programin qeverisës ndërsa ndarja e posteve tani po paraqitet pengesë për nënshkrimin e marrëveshjes.

Pas takimit disa orësh të së hënës mes kryetarëve të dy partive, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, nga i cili nuk u vendos firma në ndonjë dokument koalicioni, në publik u shpërfaqën pakënaqësitë nga mosarritja e marrëveshjes përfundimtare.

VV – LDK, nga ‘harmonizimi’ te kushtëzimet