Kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, më 13 gusht 2019, Foto: Albin Kurti Facebook

Cilat tema e penguan LVV-në dhe LDK-në ta shpallnin koalicionin?

Edhe takimi i sotëm mes liderëve të dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit. Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), u mbyll pa arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës.

Përpara se të takohen dy liderët, LVV dhe LDK kanë mbajtur takimet e grupeve punuese të cilat sipas tyre kanë rezultuar me ‘harmonizim 100 për qind të plan-programit’.

Mirëpo për arritjen e marrëveshjes për koalicion si Albin Kurti ashtu edhe Isa Mustafa u shprehën se ende kanë nevojë për ‘përafrim të qëndrimeve’

“Avancim në diskutimet që kemi bërë ka, e atëherë kur ta kemi marrëveshjen e plotë do të mund ta shpalosim atë gjerë e gjatë. Përfundon takimi i sotëm dhe unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarin e LDK-së që ta përcaktojmë takimin e radhës sa i përket ditës dhe orës që të vazhdojmë më tutje drejtë marrëveshjes” tha Kurti pas takimit.

Ndërsa Mustafa tha se kanë edhe disa çështje të tjera të cilat duhet t’i sqarojnë përpara se ta formojnë koalicionin.

“Ne kemi pasur pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës dhe çështjeve të cilat janë harmonizuar ndërmjet grupeve tona punuese, kemi edhe çështje të tjera të cilat i kemi biseduar sot me z. Kurti të cilat do të duan që të arrijnë një përafrim të cilat pastaj mund t’i ndihmojnë bërjes së koalicionit”, tha Mustafa.

Ndonëse të dy liderët këto tema po i mbajnë ‘sekret’ sipas njohësve të çështjeve politike në vend, ndarja e përgjegjësisë institucionale për udhëheqjen e Qeverise dhe Kuvendit, si dhe gjetja e modaliteteve për nominimin e kandidatit/es për President ne vitin 2021, po shihen si ‘mollë sherri’ mes LDK-së dhe LVV-së.

LDK dhe LVV ndryshuan praktikën e arritjes së koalicioneve në Kosovë

Blerim Vela, analist politik, në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë ka thëne se mënyra se si LVV dhe LDK kanë ndërtuar partneritetin për koalicion qeverisës paraqet një praktikë të re në Kosovë.

“Ky hap paraqet ndryshim cilësor në mënyrën se si partitë politike ndërtojnë partneritet politik përtej interesave për të udhëhequr me dikastere të caktuara qeveritare”, tha Vela.

Sipas tij këto parti nuk janë duke e zvarritur procesin e formimit të institucioneve pasi që presidenti Thaçi nuk ka thirrur seancën konstitutive për caktimin e mandatarit.

“LVV dhe LDK janë brenda afateve dhe po realizojnë negociata politike qe janë normale për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje pas rezultatit të mirë të arritur më 6 tetor”, tha ai.

Sipas Velës, një ndër temat kyçe në të cilën LDK dhe LVV nuk po mund të dakordohen është çështja e presidentit.

“Tema kyçe ku LVV dhe LDK po negociojnë ende është ndarja e përgjegjësisë institucionale për udhëheqjen e Qeverise dhe Kuvendit, si dhe gjetja e modaliteteve për nominimin e kandidatit/es për President ne vitin 2021. Duket se LVV dhe LDK po synojnë që të udhëheqin ministritë që do te mund t’u mundësonte realizimin e premtimeve të tyre zgjedhore”, theksoi ai.

Ulësja e presidentit, larg pazareve politike

Në anën tjetër, gazetari Enver Robelli ka propozuar një mënyrë se si duhet të ndahen përgjegjësitë në qeverinë e re , duke theksuar se posti i presidentit nuk duhet të jetë pjesë e ‘pazareve politike’ dhe nuk duhet t’i jepet LDK-së si ngushëllim për humbjen në zgjedhje.

“LVV dhe LDK mund të gjejnë një kandidat të përshtatshëm nga radhët e tyre për president, por kur të vijë koha. Ministritë të ndahen përgjysmë (50:50), kryeministër shefi i LVV-së, zëvendëskryeministre Vjosa Osmani. Nuk ka nevojë për zëvendëskryeministra të tjerë. Kryetar Parlamenti në dy vitet e para Kujtim Shala, në dy vitet tjera Glauk Konjufca”, ka shkruar Robelli në Facebook.

Sipas tij, partitë fituese duhet ta formojnë qeverinë e re sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Mund të luajnë poker partitë fituese të zgjedhjeve dhe të tallen me vullnetin e popullit për ndryshim, por nuk ka garanci se për këtë do të shpërblehen në të ardhmen. Kosovës i duhet një qeveri e re e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Tash. Menjëherë”, ka shkruar tutje ai.

Robelli ka thënë që LDK-ja duhet t’i japë fund ‘vajtimit për humbjen’ dhe duhet të dëshmojë që është e gatshme për fillim të mbarë.

“A është e gatshme LDK për këtë fillim të mbarë? Nëse po, le ta lë vajtimin për shkak se nuk doli e para. Nuk doli, sepse nuk e meritoi! Por nëse qeverisë mirë, mund të dalë e para në të ardhmen”, ka theksuar ai.