Albin Kurti - Isa Mustafa

LDK: Diskutimet me VV do të vazhdojnë pa iu nënshtruar presioneve

Lidhja Demokratike e Kosovës  ka shprehur gatishmërinë për rritjen e një marrëveshjeje bashkë qeverisëse me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkë qeverisëse me LVV-në, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës, thuhet në njoftim.

Tutje LDK ka thënë se është e vullnetshme të arrijë një marrëveshje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë.

“Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional”, thuhet në njoftim.

Sipas LDK-së synimi i përbashkët është të arrihet një marrëveshje që ka prioritet vetëm zotimet ndaj qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar mirëqenien e tyre.

Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk po arrijnë dot që të finalizojnë koalicionin e përbashkët qeverisës, ndonëse nënshkrimi i saj u paralajmërua të ndodhë në fillim të kësaj jave.

Në fund të javës së kaluar, partitë thanë se e kanë harmonizuar 100% programin qeverisës ndërsa ndarja e posteve tani po paraqitet pengesë për nënshkrimin e marrëveshjes.

Pas takimit disa orësh të së hënës mes kryetarëve të dy partive, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, nga i cili nuk u vendos firma në ndonjë dokument koalicioni, në publik u shpërfaqën pakënaqësitë nga mosarritja e marrëveshjes përfundimtare.

Zyrtarë të VV-së dhe LDK-së janë deklaruar në debate televizive dhe rrjete sociale duke përmendur kushtëzime dhe dyshime për propagandë politike.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar zyrtarë nga të dyja partitë për takimin e radhës në nivel të kryetarëve, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Por deputeti i sapozgjedhur i VV-së, Glauk Konjufca, mbrëmjen e së martës ka thënë se LDK-ja e ka kushtëzuar marrëveshjen me postin e Presidentit të Kosovës, si dhe u shpreh i zhgënjyer me fazën e dytë të negociatave.

“Marrëveshja nuk u finalizua për arsye që në njëfarë mënyrë, Lidhja Demokratike e Kosovës e kushtëzoi këtë marrëveshje për Qeverinë dhe për Kuvendin edhe me një pozitë tjetër, që është pozita e Presidentit të Republikës së Kosovë”, është shprehur ai në emisionin ‘Pressing” në T7.

Konjufca ka theksuar se nuk e kanë pritur këtë kushtëzim nga LDK-ja.

“Pra në njëfarë mënyrë nuk e prisnim këtë gjë sepse siç e dini ju këto zgjedhje kanë qenë parlamentare dhe në to pas konstituimit të Kuvendit del qeveria, prej një mazhorance e cila arrin të themelohet varësisht rezultatit çka ndodhë në zgjedhje”, tha ai.

Por, sipas Konjufcës pozita e presidentit është krejtësisht e pavarur.

“Me më shumë vota zgjidhet presidenti, por mund të ndodhë që në mes të mandatit të bie qeveria të shkohet në zgjedhje të reja vetëm me 61 vota por jo edhe presidenti i cili do të mbetet aty”, theksoi deputeti i VV-së.

Më pas nuk munguan as reagimet e LDK-së, lidhur me takimet mes dy partive.

Deputeti i sapozgjedhur LDK-së,  Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se deklaratat e pamatura e vendosin mundësinë e bashkëpunimit disa hapa prapa.

“Marrëveshjet e mosmarrëveshjet mes partnerëve – po qenë e po u panë si të tillë njëmend – zgjidhen mes vete, sy më sy, e jo me ofendime nëpër studio televizive. Deklarata të pamatura dhe pa kohë e vendosin mundësinë e bashkëpunimit disa hapa prapa. Ndoshta dhe ky është qëllimi”, ka shkruar ai në Facebook.

“Propagandë për propagandë jemi ngopur mjaft. Por nëse e kanë njëmend, me respekt ndaj njëri tjetrit e me respekt ndaj vullnetit qytetar, këtu jemi. Plot 28 deputetë të 206 mijë votuesve kosovarë”, thuhet në publikimin e Abdixhikut.

Lidhur me këto zhvillime, analisti politik Nexhmedin Spahiu ka thënë për BIRN-in se posti i presidentit është pengesa kryesore për koalicion, pasi sipas tij kjo po shkakton një çekuilibër midis partnerëve në ndarjen e qeverisë.

“Vetëvendosje, si partia më e votuar ka një avantazh dhe duket se ata po kërkojnë kompensim me poste të tjera, në mënyrë që LDK të ketë presidencën kur të skadojë mandati i [Hashim] Thaçit”, tha Spahiu.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në zgjedhjet e 6 tetorit VV-ja ka fituar 26,27 për qind të votave, kurse LDK-ja 24,54 për qind.

VV – LDK, nga ‘harmonizimi’ te kushtëzimet