Afresku në Kishën Ortodokse Serbe në Rozaje, Mali i Zi. Foto: Twitter/Rifat Fejzic.

Afresku 'antiboshnjak' i kishës shkakton mosmarrëveshje në Mal të Zi

Autoritetet lokale në qytetin malazez të Rozajes i bënë thirrje Kishës Ortodokse Serbe të heqë një afresk në kishën lokale që përshkruan boshnjakët duke kërcënuar një nënë dhe një fëmijë me thika.

Autoritetet në qytetin malazez të Rozajes thanë të hënën se i kanë kërkuar Kishës Ortodokse Serbe të heqë një afresk në kishën e sapo rinovuar të Ruzicës që përshkruan boshnjakët si të dhunshëm, megjithëse kisha pretendon se pasqyron realitetin historik.

“Tempujt fetarë nuk duhet të kenë motive që shkaktojnë pakënaqësi te njerëzit. Afresku në kishën lokale nuk është në përputhje me trashëgiminë tonë të përbashkët shoqërore dhe nuk është një pasqyrim i besimeve fetare që afirmojnë respektin midis njerëzve në qytetin tonë”, tha kryetari i komunës së Rozajës, Rahman Husoviç, për mediat.

Debati shpërtheu të dielën pasi media publikoi foto të afreskut në kishën e sapo rinovuar në qytet, i cili ka një popullsi me shumicë boshnjake. Afresk tregon dy burra boshnjakë me thika duke u përpjekur të sulmojnë një nënë me një fëmijë.

Ai përshkruan gjithashtu një burrë të veshur me uniformën partizane jugosllave të kohës së Luftës së Dytë Botërore, i cili shfaqet duke mbajtur një pishtar në dorë pranë një kishe të djegur dhe dy burra me veshje osmane dhe me shpata në duar gati të sulmojnë kishën.

Kreu i Komunitetit Islam në Mal të Zi, Rifat Fejziç, paralajmëroi se afresku po nxit përçarje etnike në vend, ndërsa OJQ-ja Qendra për Tranzicionin Demokratik me qendër në Podgoricë u bëri thirrje prokurorëve të nisin një hetim.

Autoritetet lokale dhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe ranë dakord për një takim të hënën për të shmangur çdo tension etnik në qytet.

Por prifti lokal i Kishës Ortodokse Serbe Slobodan Radojeviç tha të hënën se afresku paraqet fakte historike dhe nuk kishte për qëllim të nxiste përçarje.

Radojeviç theksoi se në Rozaje gjatë Luftës së Dytë Botërore u kryen krime lufte kundër serbëve dhe se kisha ishte shkatërruar dy herë në të kaluarën, nga turqit osmanë dhe nga autoritetet komuniste jugosllave.

“Me këtë shfaqje nuk kemi dashur të dënojmë individë apo ndonjë popull, por duam të dënojmë mëkatin që ka bërë dikush. Në anën tjetër të murit, në të djathtë të hyrjes, ne treguam donatorët e kësaj kishe, duke përfshirë edhe boshnjakët që morën pjesë në restaurimin e kësaj kishe”, tha Radojeviç për gazetën e përditshme Vijesti.

“Në njërën anë kemi ata që rrënuan dhe vranë dhe në anën tjetër, ata që ndërtuan dhe u lutën për paqe. Njëra skenë është e pandashme nga tjetra dhe ato duhen parë vetëm si një e tërë”, shtoi ai.

E ndërtuar në shekullin e 17-të, Ruzica është e vetmja kishë ortodokse në Rozaje. Ajo u shkatërrua gjatë sundimit osman mbi Malin e Zi verior.

Kisha u rindërtua në vitin 1924, por autoritetet komuniste e shkatërruan atë në vitin 1948 për të ndërtuar një shkollë fillore.

Kisha u rindërtua në vitin 1991 në një vend tjetër dhe afresket u pikturuan në vitin 2021 me donacione nga besimtarët e Kishës Ortodokse Serbe dhe boshnjakët vendas.

Mali i Zi është një shtet multietnik në të cilin asnjë komunitet nuk ka shumicë absolute. Rreth 45 për qind e popullsisë e identifikojnë veten si malazez dhe rreth 29 për qind si serbë. Kisha Ortodokse Serbe është komuniteti më i madh fetar në vend.

Boshnjakët përbëjnë afërsisht 8.3 për qind të popullsisë dhe kryesisht jetojnë në qytetet veriore Rozaje, Pljevlja, Bijelo Polje, Petnjica, Plavë dhe Guci.