Ismet Beqiri - Foto: KALLXO.com

Ismet Beqiri- LVV-së: Pushteti me dhunë as nuk fitohet as nuk mbahet

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka thënë që LDK nuk është shkaktare për krizën politike në vend.

“Sigurisht që po bashkë ndiejmë me të gjithë qytetarët tanë, edhe ne me familjet tona po i kalojmë këto ditë të rënda si edhe shumë qytetarë të shteteve të ndryshme nga pandemia Covid-19. Shërim sa më të shpejtë të prekurve nga kjo pandemi. Kësaj gjendje iu shtua edhe kriza politike-qeverisëse, e që LDK me asnjë veprim nuk ka kontribuar për këtë, përkundrazi”, ka shkruar ai në Facenook.

Beqiri ka kujtuar vështirësitë që LDK si parti i ka hasur.

“LDK u themelua në vite të rënda, rrugëtuam për 30 vite bashkë për qytetarët tanë dhe me qytetarët tanë. Na linçuan, sulmuan, maltretuan, plagosën e vranë viteve të 90-ta, na sulmuan, plagosën dhe vranë edhe pas luftës por nuk u dorëzuam kurrë”, ka shkruar tutje ai.

Beqiri ka thënë që edhe tani LDK-ja vazhdimisht sulmohet nga ‘militantë të koordinuar’.

“Po na linçojnë e sulmojnë edhe tani, emisar e komesar brenda dhe jashtë Kosovës, militant të koordinuar e orkestruar. Kot e kanë, LDK dhe Kosova janë mbi të gjitha .Pushteti mbahet veç me partner të brendshëm, e bashkëpunime e partneritet të jashtëm”, ka thënë tutje ai.

E krejt në fund sekretari i LDK-së e ka pasur një porosi për partnerin e koalicionit.

“Si në çdo vend demokratik, edhe në Kosovë, pushteti me dhunë as nuk fitohet dhe as nuk mbahet. Shtëpia pa miq nuk mbahet. Miqësia Kosovë-SHBA e përjetshme”, ka theksuar ai.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti është dorëzuar të premten në Kuvendin e Kosovës nga partneri i koalicionit LDK.

Kjo prishje e koalicionit vjen pas mosmarrëveshjeve për taksën dhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet nesër (e martë) për ta shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, inicuar nga LDK-ja. Kuvendi ka bërë të ditur se Kryesia do të mblidhet në ora 14:00.