Java vendimtare e koalicionit

Të enjten pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare, por deri më tani partitë që morën më së shumti vota me 6 tetor ende janë pa marrëveshje për udhëheqjen e qeverisë dhe të legjislativit.

Përderisa negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë ngecur në bisedimet për pozitën e Presidentit, që po kërkohet nga LDK-ja, të enjten në seancë duhet të votohet kryesia e re e Kuvendit.

Në këtë mbledhje duhet të votohet edhe kryetari i ardhshëm, që deri më tani sipas marrëveshjes i takon LDK-së, ndërkaq në rastin e mos dakordimit mes partive, ky mandat i takon partisë fituese të zgjedhjeve, në këtë rast LVV-së.

Edhe sot zyrtarë të LDK-së shprehën gatishmërinë për bashkëqeverisje me LVV-në, por nuk dhanë ndonjë datë për takimin e radhës mes liderëve të të dyja subjekteve.

I pari i LDK-së Isa Mustafa në një manifestim të mbajtur sot për shënimin e 30 vjetorit të themelimit të partisë, ka thënë se kanë treguar vullnet që të qeverisur me VV-në.

“LDK po bën përpjekje për të arritur marrëveshje me Vetëvendosjen që i siguron Kosovës qeverisje stabile për katër vite. Në përpjekjet tona, jemi të vetëdijshëm për dallimet ideologjike dhe kulturën politike, por duke respektuar vullnetin qytetar po bëjmë përpjekje të gjejmë rrugë për bashkëqeverisje”, është shprehur Mustafa.

Ndërsa, nga Zyra për Media e VV-së për Gazetën Jeta në Kosovë kanë konfirmuar se deri tash nuk është paraparë ndonjë takim me LDK-në.

Në anën tjetër, pesimist për koalicion mes LVV-LDK, para seancës konstituive të Kuvendit, është shprehur njohësi i zhvillimeve politike në vend, Ramush Tahiri.

Nuk po shoh që ka ndryshuar diçka në raportet ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së për ta bërë marrëveshjen sepse ato që i kanë ditë para një muaji ose dy, i dinë edhe sot edhe nesër. Nuk është që ka ndryshuar pozicioni, kërkesat janë bërë publike dhe tash asnjëra palë nuk po heq dorë nga to. Tani nuk po shoh ndonjë arsye që mundet për dy ditë me ndërru qëndrimi”, tha Tahiri për Gazetën JnK.

Tahiri thotë se tashmë rreziku qëndron te dita kur është thirrur seanca e parë për themelimin e legjislaturës së shtatë.

“Rreziku tash është te mbledhja e Kuvendit që është caktuar me 26 dhjetor dhe po në këtë datë duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe kryetari duhet të zgjedhjet me propozim të Vetëvendosjes, përderisa deri tash janë pajtuar që ajo pozitë t’i jepet LDK-së”, theksoi ai.

Politologu ka shtuar se nëse nuk ka marrëveshje për qeverisje, në atë seancë nuk kandidohet emri i LDK-së por i VV-së.

“Dhe nëse nuk i merr votat, nuk konstituoet kuvendi”, përfundoi Tahiri për Gazetën JnK.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në zgjedhjet e 6 tetorit VV-ja ka fituar 26,27 për qind të votave, kurse LDK-ja 24,54 për qind.

Dy muaj pas zgjedhjeve, në pritje për formimin e institucioneve të reja