ZKA: Ndonëse dha përgjigje të saktë, kandidati në RTK nuk u vlerësua me asnjë pikë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur mangësi në tri procese të rekrutimit në Radiotelevizionin e Kosovës. 

Në raportin vjetor të ZKA-së thuhet se në konkursin për “Udhëheqës në Tekonologji Informative”,  ani pse njëri nga kandidatët kishte rrumbullaksuar përgjigjen e saktë, ishte vlerësuar me zero pikë. 

Në konkursin tjetër për pozitën “Teknik në Facebook”, dy formularët për aplikim për punë nuk ishin nënshkruar nga kandidatët, por të njëjtit ishin përzgjedhur për procedura të rekrutimit. 

Mangësi më të mëdha, ZKA ka hasur edhe në konkursin për pozitën “Gazetar Redaktor Ueb Faqe në RTK” . 

Një kandidat për këtë pozitë ishte ftuar për pjesëmarrje në proces pavarësisht që data e formularit nuk i përkiste periudhës së procesit të rekrutimit. 

Në këtë konkurs, sipas çelsit të testit me shkrim, për një pyetje janë vlerësuar dy përgjigje të sakta për rrumbullaksim, me ç’rast 7 kandidatë janë vlerësuar për një përgjigje të vetme të rrumbullaksuar me pikët maksimale. 

“Mos përfillja e rregullave dhe udhëzuesit administrativ lidhur me proceset e reukrtimit ndikon në shfaqjen e dobësive në proceset e vlerësimit, e deri në mos përzgjedhjen e kandidatëve të suksesshem. Madje edhe në ndëshkime financiare nga Inspektorati i Punës”- thuhet në raportin e ZKA-së për RTK-në. 

RTK ka disa mijëra euro gjoba të cilat sipas një komunikate të publikuar më 28.05.2024 të Sindikatës së Pavarur të RTK-së shkojnë së bashku deri në 20 mije euro gjatë mandatit të këtij bordi dhe menaxhmenti. 

Sipas kësaj sindikate, 18 mijë euro gjoba janë vetëm nga vendimet e Inspektoratit të Punës në vitin 2023.

KALLXO.com kishte raportuar për vendimin e Inspektoratit të Punës për të gjobitur RTK-në me 7 mijë euro për shkelje të cilat lidhen me Sigurinë dhe Shëndetin në punë si dhe ndër të tjera për gjobën prej 3 mijë euro për degradimin në pozitë të kryesindikalistit, Fadil Hoxha.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për Radio Televizionin e Kosovës në raportin vjetor për pasqyrat finaciare për vitin 2023. 

Auditorët mund të japin tre lloje opinionesh të modifikuara: opinion të kualifikuar, opinion të kundërt dhe mohim të opinionit. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për Radio Televizionin e Kosovës në raportin vjetor për pasqyrat financiare për vitin 2023. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet. 

RTK kishte marrë notë negative, pra raport të kualifikuar edhe në raportin e ZKA-së për vitin 2022.  Aty ishte konstatuar se ka patur shkelje në mënyrën e shpenzimit të parasë publike.

Edhe në atë kohë, udhëheqës i menaxhmentit të RTK-së ishte Shkumbin Ahmetxhekaj dhe kryetar i Bordit ishte Besnik Boletini, njëherësh  gazetar i OJQ ‘Çohu’. 

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj në raportim para komisionit për mbikëqyrje të financave publike në nëntor të vitit të kaluar kishte thënë se në raportin e ardhshëm të RTK-së “do të ketë përmisime”.

Edhe më 2022, Auditori konstatoi se ka patur shkelje në mënyrën e shpenzimit të buxhetit, duke i shkelur rregullat e prokurimit publik dhe duke aplikuar tenderë njëburimor pa i respektuar procedurat e prokurimit.

Në raportin e ZKA të publikuar më 27.05.2024, thuhet se nga 12 rekomandime të dhëna vitin e kaluar për RTK-në, 11 nga to janë zbatuar ndërsa një rekomandim është zbatuar pjesërisht.

Argumentet e detajshme për këtë konkluzion të raportit të ZKA për 2023  ka dhënë 5 gjetjet të cilat mund ti gjeni në këtë LINK