Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Inspektorati i Punës vërteton gjobën për RTK-në në rastin e kryesindikalistit Fadil Hoxha

Shkalla e dytë e Inspektoratit të Punës ka vërtetuar dënimin prej 3 mijë euro ndaj Radiotelevizionit të Kosovës në rastin e degradimit të kryesindikalistit, Fadil Hoxha, për pesë shkallë. Radiotelevizioni i Kosovës kishte apeluar vendimin e parë të Inspektoratit të Punës.

Në vendimin e shkallës së dytë thuhet se IP ka refuzuar ankesën e RTK-së sepse nuk ka arritur të vërtetojë se nuk ka bërë shkelje.

“Organi i shkallës së dytë pas shqyrtimit të ankesës … të Radiotelevizionit të Kosovës me të cilën ka atakuar vendimin Nr.01/08-03/2023-A e datës 25.01.2023 të organit të shkallës së parë të Inspektoratit të Punës për shkak të konstatimit të gabuar dhe jo të drejtë të gjendjes faktike dhe për shkak të aplikimit të gabuar të së drejtës materiale ka bërë vlerësimin e të gjitha provave dhe dëshmive në dosje dhe nuk është gjetur ndonjë dëshmi e cila dëshmonte që nga ankuesi, Radiotelevizioni i Kosovës nuk është shkelur nenin 86 paragrafi 1 nen paragrafi 1.1 Ligiit nr.03/L-212 të Punës , lidhur me nenin 29 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të Ligit 05/L-031.Nenit 85 paragrafi I , nën paragrafi 1.3 , paragrafi 2 lidhur me Nenin 11 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2”- thuhet në vendim.

vendimin e parë të IP-së thuhet se RTK kishte ulur Fadil Hoxhën në një pozitë që nuk është në harmoni me shkollimin dhe aftësitë e tij.

Inspektorati kishte gjetur shkelje ligjore edhe në nxjerrjen e vendimit për degradimin e Hoxhës. Sipas IP-së, nxjerrja e vendimit për degradimin e Hoxhës është bërë nga pala që në të njëjtën kohë është iniciuese e procedurës e edhe palë në procedurë. Drejtori i Shërbimeve të Përbashkëta, Alban Fetahu, kishte qenë në të njëjtën kohë inicues i procedurës disiplonore dhe palë që kishte marrë pjesë në procedurë.

Shkumbin Ahmetxhekaj, drejtor gjeneral i RTK-së, tha për KALLXO.com se nuk e kanë pranuar ende vendimin e Inspektoratit të Punës.

“Organi i shkallës së dyë të IP-së gjeti se në vendimin e kundërshtuar gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, andaj pretendimet ankimore të ushtruara nga palët në procedurë janë jobindëse dhe si të tilla refuzohen…”- vazhdon vendimi.

Kryesindikalisti Hoxha pretendon se ulja e tij në pozitë lidhet me hakmarrje dhe veprimin e tij sindikal.

IP në lidhje me këtë ka thënë se nuk ka kompetencë që ta trajtojë pasi me çështje të kërcënimit e hakmarrjes merret Kodi Penal.

Degradimi i Fadil Hoxhës ka filluar në nëntor të vitit të kaluar kur pranoi vërejtje me email me arsyetimin se ai nuk kishte qenë në vendin e tij të punës por në zyrë të Sindikatës së RTK-së, e cila gjendet në ndërtesën e RTK-së.

Me të marrë këtë vërejtje Hoxha e raporton rastin në Polici si kërcënim ndaj aktivitetit të tij sindikal, ndërsa menaxhmenti i RTK-së fillon procedurë disiplinore duke e cekur që njëra prej shkeljeve është raportimi i rastit në Polici.

Si rezultat i procedurës disiplinore, e cila u udhëhoq nga Alban Fetahu, shefi i shërbimeve të përbashkëta në RTK, Hoxha degradohet prej pozitës “Udhëheqës i Njësisë së Hulumtimit” në pozitën “Inxhinier përgjegjës”, pozitë për të cilën ai nuk është i kualifikuar sepse është i diplomuar në ekonomi.

Për këtë rast është duke u zhvilluar edhe proces gjyqësor.

Avokatura Sejdiu & Qerkini që e ka marrë këtë rast si padi strategjike për të shënuar precedent ligjor të ri në Kosovë në mbrojtjen e sinjalizuesve e argumentoi këtë rast para gjykatësit Adnan Konushevci në Gjykatën e Prishtinës duke kërkuar masë mbrojtëse të cilën gjykata më vonë e refuzoi.

Hoxha kishte marrë vërejtje me e-mail nga menaxhmenti i RTK-së, disa muaj para degradimit, për shkak se kishte shpërndarë një artikull të KALLXO.com që lidhej me të drejtat e shkelura të punës së Shkendije Himajt, e cila ishte përjashtuar nga puna pas gati 20 vite punë nga Fehmi Mehmeti, guvernatori i Bankës Qëndrore gjatë kohës që ishte në pushim mjekësor.

Menaxhmenti i RTK-së kishte argumentuar se ky artikull dhe shpërndarja e tij nga kryesindikalisti e “prish imazhin e RTK-së”.

Pasi iu krye mandati Mehmetit, Himaj kandidoi për guvernatore të BQK-së dhe doli e para në sistemin meritokratik të udhëhequr nga kompania angleze, ndërsa Mehmeti doli i gjashti.

Degradimi i Fadil Hoxhës në pozitë – Sindikata e quan vendim hakmarrës, Ahmetxhekaj thotë se nuk kishte ndikim në proces