Zjarri në IML, prokurori lëshon disa autorizime për ekzaminime

Dy zyra të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë janë përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm, e sipas informacioneve që kanë zjarrfikësit zyret në fjalë janë të drejtorit të këtij Instituti.

Në oborrin e objektit të IML-së sot u panë policët e zjarrfikësit, e aty doli edhe prokurori i rastit.

Sipas një njoftimi zyrtar, Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes.

“Nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së” – ka thënë për KALLXO.com zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj.

Ajo tha se Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë.

KALLXO.com raportoi nga vendi i ngjarjes. Aty zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra ka thënë se informatën për këtë zjarr e kanë marrë rreth orës 07:56 dhe menjëherë ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë lokalizuar zjarrin.

Ai tha se sipas informacioneve që posedon deri më tani, e përfshirë nga zjarri është një zyrë e cila ka qenë e ndarë në dy pjesë.

“Rreth orës 07:56 minuta Brigada e Zjarrfikësve ka pranu një lajm që objekti i IML-së është përfshi nga zjarri dhe menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes kanë intervenu. Për një kohë të shkurt kanë fut zjarrin në kontroll, tash puna është duke vazhdu deri në përfundimin e zjarrit. Sipas informatave, të lënduar nuk ka, dëme materiale ka, është e përfshirë një zyrë e cila ka qenë e ndarë në dysh”- ka thënë ai.

“Sa kemi informata është zyra e drejtorit” – tha tutje zëvendëskomandanti i brigadës.

Shkodra ka shtuar se deri me tani ende nuk është bërë vlerësimi i dëmit nga ky zjarr.

Zjarri në objektin e IML, zjarrfikësit tregojnë se çka është djegur