Zjarri në Fushë Kosovë, 4 persona marrin trajtim mjekësor për shkak të tymit – 2 prej tyre policë

Katër persona kanë marrë trajtim mjekësor, dy prej tyre zyrtarë policorë, për shkak të tymit pasi një objekt banesor në Fushë Kosovë sot në mesditë u përfshi nga zjarri.

Policia e Kosovës ka thënë për KALLXO.com se për shkak të zjarrit në banesë nuk raportohet për të lënduar.

“Sot rreth orës 12:00, është raportuar se  një objekt (banesë) në rrugën Hajrullah Zymi në Fushë Kosovë, është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit”- ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Nuk raportohet për persona të lënduar, mirëpo si pasojë e problemeve me frymëmarrje (nga tymi) tretman mjekësor kanë pranuar 4 persona (dy nga ta zyrtarë policor)”.

Sipas saj, zjarri është lokalizuar dhe policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.