Foto: REL

Zgjedhjet në Preshevë e Bujanoc, fitoren e shpallën Ardita Sinani dhe Arbër Pajaziti

Në Preshevë – komunë e banuar me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – fitoren e shpalli Ardita Sinani, nga Partia për Veprim Demokratik.

Kësaj partie i dha mbështetje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Faleminderit Preshevë që na besuat dhe u bashkuat të gjithë me mendje dhe zemër për Komunën tonë”- shkroi mes tjerash Sinani në Facebook.

Në Bujanoc – komunë e banuar po ashtu me shumicë shqiptare – fitoren e shpalli Arbër Pajaziti, nga lista zgjedhore Fronti për Ndryshim.

“Bashkombas të dashur, me këtë fitore na obliguat që të krijojmë një shumicë të re qeverisëse në Bujanoc. Atë edhe do ta bëjmë. Shumë shpejt. S’kemi kohë për të humbur, sepse na presin shumë punë. Vota e juaj është një amanet për të bërë një Bujanoc ndryshe”- shkroi mes tjerash Pajaziti në Facebook.

Partia Përparimtare Serbe (SNS), e cila është në pushtet në Serbi, shpalli fitoren në zgjedhjet e përsëritura lokale në Beograd dhe qytete të tjera.

Pas numërimit të më shumë se 92 për qind të votave, SNS-ja populiste e krahut të djathtë – e mbështetur edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq – mori 52.85 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, tha Komisioni Zgjedhor i Qytetit të Beogradit (GIK).

Ky rezultat do t’i japë asaj 64 mandate në asamblenë komunale prej 110 vendesh të kryeqytetit serb, sipas GIK-ut.

Konkurrentja më e afërt e SNS-së, “Kreni-Promeni”, që do të thotë “Lëviz-Ndrysho”, e kryesuar nga Savo Manojlloviq, doli e dyta me 17.61 për qind të votave, apo 21 mandate, tha GIK-u.

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi u mbajtën dhjetorin e kaluar, por rezultatet e tyre u kontestuan në 88 qytete, komuna e rrethe, ku u përsëritën më 2 qershor.

Në shumicën e tyre, përfshirë edhe qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sadin, fitoi SNS-ja./REL