Zgjedhja e të dënuarit për vjedhje të votave në krye të Asamblesë së Hanit të Elezit, deklarohet Vlora Çitaku nga PDK

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është deklaruar në lidhje me zgjedhjen e kryesuesit të Asamblesë së Hanit të Elezit, Florim Shkreta, i cili në vitin 2014 ishte dënuar me gjashtë muaj burg, për shkak të veprës penale mashtrim në votime.

Për këtë rast, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë për KALLXO.com se nuk ka shumë informacione.

Megjithatë ajo ka shtuar se PDK e ka bërë të qartë që pastërtia para ligjit duhet të jetë parakusht për përfaqësim në institucione.

“Unë nuk i kam të gjitha detajet, do të doja që të di më shumë sepse nuk kam qenë në Kosovë në atë periudhë. Megjithatë PDK e ka bërë të qartë që pastërtia para rendit dhe ligjit duhet të jetë parakusht për përfaqësim në institucione qofshin ato komunale, qofshin ato qendrore”, tha ajo për KALLXO.com mbrëmjen e së martës.

Të martën, u mbajt mbledhja inauguruese e qeverisjes së re të Komunës së Hanit të Elezit, në të cilën betimin solemn e dhanë edhe kryetari i ri i Hanit të Elezit nga PDK-ja Mehmet Ballazhi si dhe asamblistët komunal. Në të njëjtën mbledhje, Florim Shkreta u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal,  i cili mori 9 vota pro dhe 6 kundër.

Florim Shkreta në vitin 2017 pati kandiduar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Hanit të Elezit.

Shkreta në vitin 2014  ishte dënuar me gjashtë muaj burg, për shkak të veprës penale mashtrim në votime.

Hulumtimi i KALLXO.com zbardhi dosjen e Shkretës në atë kohë ndërsa ky i fundit, e kishte pranuar dënimin deri sa kishte shtuar se rasti i ishte montuar.

Shkreta ishte dënuar për mashtrim në votime në zgjedhjet e vitit 2010, kur sipas aktakuzës, ai në një qendër votimi të fshatit Seqishtë të Hanit të Elezit kishte zvogëluar votat e ish presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të Nismës, Fatmir Limajt, që atëherë ishte pjesë e PDK-së, ndërsa kishte shtuar voat e Azem Sylës dhe Hajredin Kuçit.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme Shkreta kishte të drejtë të kandidojë për kryetar, pasi ishte dënuar para më shumë se tre vjetësh nga zgjedhjet e vitit 2017.

Kandidimin e Shkretës në atë kohë e kishte komentuar edhe Abelard Tahiri, tash shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Në emisionin “Jeta në Kosovë” në të cilin u diskutuan zgjedhjet lokale të vitit 2017, anëtari i kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, kishte thënë që kandidimi i Florim Shkretës për kryetar të komunës së Hanit të Elezit ka qenë një lëshim i partisë.

“Kandidimi i tij ka qenë lëshim i PDK-së, ajo nuk do të duhet të ndodhte. Ka qenë një gabim i joni, na është përvjedhur si gabim”, kishte thënë Tahiri.

Në “DebatPernime”, në vitin 2017 Shkreta kishte thënë se fakti që ka qenë i dënuar për keqpërdorim në zgjedhje nuk e ka penguar të kandidonte për kryetar të komunës.

Ai kishte thënë edhe se ka qenë i kënaqur me burgun.

“Shumë jam i kënaqur me burg sepse me të vërtetë njeriu ka nevojë me shku në burg nganjëherë. Por me shku padrejtësisht të mundon. Sepse nuk ka qenë interesimi kaq i madh në atë vendvotim ku më kanë akuzu”, ishte shprehur Shkreta në debat.

“Procesi në vendvotim ka përfundu në rregull. Po unë dyshoj se kjo është montim”, ishte shprehur ai.