Foto: REL

Zemaj thotë se masat për mbrojtje nga COVID-19 do të vazhdojnë edhe më tej

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se sot është mbajtur mbledhja e komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus COVID-19.

Zemaj ka treguar se në këtë takim është diskutuar edhe situata rreth pandemisë në vendin tonë si dhe respektimi I masave kundër COVID-19.

Zemaj ka thënë se ka respektim të masave sa i përmet bartjes së maskës, por problematikë është ruajtja e distancës fizike, si në sektorin e gastronomisë ashtu edhe në sektoret e tjera

Ai tutje ka thënë se masat e Qeverisë do të vazhdojnë edhe më tutje në mënyrë që të mbrohet popullata nga COVID-19.

“Duhet të theksojmë se rënia e numrit të infektuarve është rezultat i zbatimit të masave të Qeverisë në një nivel më të mirë nga qytetarët, sidomos bartjes së maskës mrojtëse, falë edhe përkushtimit të Policisë së Kosovës dhe inspektorateve përgjegjëse, të cilët përmes punës në terren kanë kontribuar në këtë drejtim, pa lënë anash edhe fushatat informuese që bartjen e maskës e kanë promovuar, përveç si mbrojtje, dhe si një lloj kulture shëndetësore. Ne kërkojmë që më këto masa të vazhdohet edhe më tej, pa rënie të kondicionit në punë, duke i dhënë rëndësi gjithashtu edhe ruajtjes së distancës si një masë tjetër mbrojtëse kundër Covid-19. Te kjo pikë jemi ende keq, si në gastronomi ashtu edhe në veprimtari të tjera”, thuhet në publikim.

“Jemi të vetëdijshëm se presioni për të liruar veprimtari të tjera është në rritje e sipër sidomos nga bizneset, banjat rehabilituese, ndryshime të orareve të qarkullimit, kinematë dhe veprimtari të tjera, por duke qenë që jemi në një fazë delikate në prag të fillimit të vitit shkollor dhe neve na duhet të ulim edhe më tej lakoren e infektimeve dhe rastet e vdekjeve, konsideroj se së paku edhe për disa ditë apo javë, masat e njëjta duhet t’i mbajmë në fuqi”, thotë Zemaj.

Sipas Zemajt, bazuar në të dhënat nga IKSHPK-së dhe SHSKUK-së, në 2-3 javët e fundit kemi një rënie të lehtë graduale të numrit të personave të infektuar nga Covid-19, gjithashtu edhe një rënie domethënëse të numrit të pacientëve të spitalizuar në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme por edhe rënie të vdekjeve të pacienteve të infektuarve me Covid-19.

“Shpresojmë që kjo rënie e numrit të infektimeve të reflektojë edhe me rënie të numrit të të vdekurve, që mbetet ende shqetësim i lartë sa i përket menaxhimit të Covid-19”, është deklaruar ai.