Zemaj: Intuita ime dhe partia besuan se unë jam profili më i duhur për të udhëhequr me Ministrinë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, që është me profesion jurist, në emisionin “Jeta në Komunë” ka folur për momentin kur ka pranuar të udhëheqë Ministrinë e Shëndetësisë në kohë të krizës së pandemisë.

Zemaj tha se aktiviteti i tij politik por edhe besimi që të tjerët kanë shfaqur në të e kanë bindur se ai është profili më adekuat për të udhëhequr me shëndetësinë në Kosovë.

“Institucioni i Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë një prej temave më të folura në jetën publike e parlamentare. Intuita ime, miqtë, familje ime, e mbi të gjitha subjekti politik ka besuar që në këtë situatë, profili më adekuat për ta udhëhequr ministrinë edhe në këtë kohë krizash jam unë dhe kështu kam filluar”, tha Zemaj gjatë intervistës.

Armend Zemaj kishte ardhur në krye të kësaj Ministrie pas krijimit të Qeverisë Hoti, në qershor të këtij viti.

Para Zemajt, me Ministrinë e Shëndetësisë kishte udhëhequr Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje.