Zelensky: Ura e Krimesë duhet të neutralizohet

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të premten se ura që lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë “sjell luftë, jo paqe”, dhe rrjedhimisht është objektiv luftarak.

Shpërthimet në urën e Krimesë të hënën i morën jetën dy civilëve dhe nxorën nga funksioni një pjesë të saj. Ura i ishte rikthyer funksionimit të plotë së voni, pasi ishte dëmtuar rëndë nga një sulm i ngjashëm, në tetorin e vitit të kaluar.

Ukraina përshëndeti sulmin e së hënës, por zyrtarët nuk morën përgjegjësinë e drejtpërdrejtë, ndërsa Moska e fajësoi Kievin. Krimea u aneksua nga Rusia më 2014, ndërsa Kievi do që ta rimarrë atë, teksa po lufton kundër pushtimit të plotë rus prej 17 muajsh.

Ura rrugore dhe hekurudhore, e ndërtuar nga Rusia dhe e inauguruar më 2018, nuk ishte “vetëm rrugë logjistike”, ka thënë Zelensky, i cili ka folur nëpërmjet videolidhjes në Forumin e Sigurisë të Aspenit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kjo rrugë përdoret për të ushqyer luftën me municione, dhe kjo bëhet në baza ditore. Dhe, ajo militarizon gadishullin e Krimesë”, ka thënë Zelensky, i dëgjuar përmes përkthyesit, raporton Reuters.

“Për ne, kjo [urë] është, kuptueshëm, ndërtim i armikut, i bërë në kundërshtim me të drejtën dhe me të gjitha normat e zbatueshme ndërkombëtare. Prandaj, kuptueshëm, ajo është objektiv për ne. Dhe, një objektiv, që sjell luftë, jo paqe, duhet të neutralizohet”, është shprehur ai.

Zelensky, duke iu përgjigjur pyetjeve të një moderatori, ka mohuar çfarëdo lidhje ndërmjet sulmit dhe zmbrapsjes së Rusisë këtë javë nga një marrëveshje e mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për eksportin e grurit nga portet ukrainase.

Rusia, ka thënë presidenti ukrainas, e ka penguar funksionimin e korridorit të grurit që nga fillimi.

“Dhe, më pas, ata e shfrytëzuan këtë situatë me urën e Krimesë, duke e përdorur si shembull”, ka deklaruar ai. “Nëse s’do të ishte ura e Krimesë, ata do të kishin gjetur një shembull tjetër, një arsyetim tjetër”.

Kundërofensiva e shumëpritur e ushtrisë ukrainase, e nisur muajin e kaluar, ka marrë kohë për t’u përgatitur, teksa forcat okupatore ruse kanë ngritur disa vija mbrojtëse dhe kanë minuar gjerësisht territorin ukrainas, ka thënë Zelensky.

Presidenti ukrainas ka përsëritur një vlerësim të mëparshëm se kundërofensiva po zhvillohet më ngadalë se që ai do të dëshironte. Fushata deri më tash është përqendruar në rimarrjen e fshatrave në jug dhe të çlirimin e zonave të zaptuara nga Rusia në muajt e fundit në lindje.

“Ukraina nuk po tërhiqet. Ajo po çliron vazhdueshëm territoret e saj, që është shumë e rëndësishme”, ka thënë Zelensky.

“Megjithatë, unë besoj se po i afrohemi një momenti kur veprimet e rëndësishme mund të marrin hov. Unë e kuptoj se fitorja është më mirë të vijë më herët. Këtë e duam edhe ne”, është shprehur ai./REL