Peter Stano
Zëdhënësi i BE-së: Nëse shtetet anëtare shohin se Serbia nuk po bën gjë për shtensionim, do të merren masa
Për situatën e krijuar muajt e fundit në veri të Kosovës, sot është folur prapë në një konferencë për media që është mbajtur nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano.
Stano gjatë kohës sa ka folur për masat që janë marr ndaj Qeverisë së Kosovës pas situatës së tensionuar në veri, përmendi edhe mundësinë për marrjen e masave ndaj Serbisë.
Duke treguar se BE ka një qasje të balancuar ndaj të dyja palëve të përfshira në ngjarje, Stano tregoi se mbetet në dorën e vendeve anëtare dhe parnetërve të tjerë për të vlerësuar nëse duhet të merren masa ndaj Serbisë.
“BE-ja dhe shtetet anëtare – pasi çdo gjë që bëjmë bëhet në sinkrion e konsultim me shtetet anëtare dhe me partnerët ndërkombëtarë, në këtë kontekst kryesisht me SHBA-në, nëse vendosin atëherë do të marrim masa të nevojshme ndaj Serbisë, nëse shtetet anëtare shohin se në atmosferën aktuale, në kontekstin aktual të krizës, Serbia s’po bën gjë për shtensionim. Qasja jonë është e balancuar” – tha ai.
Stano shtoi se të gjitha masat janë të kthyeshme dhe se varet në mënyrën se si silllen partnerët sa i përket çështjes së deeskalimit dhe ecjes para për t’u kthyer në proces normal të dialogut.
Zëdhënësi në konferencë për masat ndaj Qeverisë së Kosovës tha se janë marr për shkak të paaftësisë së saj që të fillojë të sillet në mënyrë evropiane.