Foto: Ilustrim

Zbulohen detaje nga çështja Pantiq

19 dhjetori ka qenë data kur Gjykata e Prishtinës, përkatësisht Departamenti Special kishte lëshuar urdhëresë për Policinë e Kosovës në mënyrë që Dejan Pantiq ish-zyrtar i policisë së Kosovës i dyshuar për sulmin ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicë të Veriut, të transferohej në një institucion shëndetësor të përshtatshëm me qëllim që të hospitalizohet dhe ti rivlerësohet gjendja.

KALLXO.com ka siguruar urdhëresën në të cilën thuhet se “Policia e Kosovës duhet që menjëherë të pandehurin ta dërgoj-transferojë në njërën prej qendrave të paraburgimit, ku e njëjta do të ketë në përkujdesje aspektin e përgjithshëm shëndetësor dhe sigurinë e tij”.

Një urdhëresë e tillë, kishte ardhur pasi që Gjykata kishte lejuar Shefen e Njësisë Mjekësore të Eulex, doktoreshën Cristina Anghelescu që t’i bëjë një kontrolle të gjendjes shëndetësore, e cila kishte përgatitur një raport mjekësor sipas të cilit, Pantiq ishte pacient me rrezik të lartë kardiovaskular.

“Rreziku rritet nga fakti se pacienti nuk e merr mjekimin e tij të rregullt, po ashtu rreziku kryesor i identifikuar pas vlerësimit tim është akcesi i vështirë në kujdesin e rregullt dhe urgjent mjekësor për një pacient me rrezik të lartë, kardiovaskular i cili ndërpret mjekimin mjekësor dhe shpall grevë urie”, thuhet në urdhëresë.

Tutje sipas urdhëresës e njëjta ka rekomanduar që pacienti të vendoset sa më shpejtë të jetë e mundur në një lokacion me aneks të menjëhershëm dhe të përshtatshëm të një objekti mjekësor, që pacienti të hospitalizohet në një institucion të përshtatshëm me qëllim që të rivlerësohet gjendja e tij e përgjithshme shëndetësore.

Dejan Pantiq u lirua nga paraburgimi për tu dërguar në arrest shtëpiak më 28 dhjetor.

Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.

Ndaj Pantiqit ekziston dyshimi se organizoi sulmet e 6 dhjetorit të 2022-ës që ndodhën ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Sulmi ndodhi gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Dejan Pantiq lirohet nga paraburgimi