Foto: BIRN

Zbehet shpresa për gjetjen e viktimave të zhdukura të regjimit komunist të Shqipërisë

Gjelosh Ashta u arrestua nga regjimi komunist i Shqipërisë në vitin 1946 – një nga gjashtë katolikët në qytetin verior të Shkodrës, të cilët u akuzuan për komplot për të rrëzuar komunizmin duke krijuar një organizatë të quajtur Bashkimi Kombëtar.

“Gjatë gjithë rrugës për në gjykatë, njerëzit e thjeshtë i fyenin, i pështynin dhe i quanin ‘tradhtarë’. Edhe fëmijët i gjuanin me gurë”, tha nipi i Ashtës, Ndoc Ashta.

Të gjashtë burrat, përfshirë Gjelosh Ashtën, i cili në atë kohë ishte një student 20-vjeçar në një seminar katolik, u dënuan me vdekje pas një gjyqi që zgjati vetëm 13 ditë.

Ndoc Ashta, xhaxhai i të cilit u arrestua në vitin 1946 dhe s’u pa më kurrë, në Shkodër. Foto: BIRN

“Ai u qëllua. U vra në prani të nënës së tij”, tha nipi i tij.

“U pushkatu. U pushkatu në prezencën e nënës se vet, por kjo kërkoi që ta prekte me dorë djalin dhe nuk e lanë ta prekte me dore dhe dikush nga ata organizatorët qe ishin aty i tha: “Largohu prej këtu sepse dhe ti meriton plumbin se ky këlyshi jot ishte.”

Gjyshja e tij i tha atij se gjashtë katolikët që u vranë ishin varrosur të gjithë në të njëjtin vend në Shkodër.

“Pas disa kohësh është prish muri (në vendin e varrimit), janë futur fadromat është bërë një Sektori i Ndërmarrjes së Ndërtimit aty dhe ka humbur  gjithçka dhe i kanë hedhur me buldozera në Kir (lumë), se janë afër lumit Kir ata”, tha Ashta.

Eshtrat e gjashtë viktimave nuk janë gjetur kurrë, edhe pas rënies së regjimit komunist në fillim të viteve 1990.

“Unë personalisht e kam kërkuar xhaxhanë tim, janë bërë përpjekje nga shoqatat që përfaqësojnë të përndjekurit politik, në vitet e para pas komunizmit në 1992 deri në 1995. Kisha Katolike gjithashtu kontribuoi”, tha ai. “Një nga klerikët që u vra me xhaxhanë tim ishte italiani At Daniel Dajlani dhe nipi i tij erdhi nga Italia kur nisën kërkimet.”

Por kur filloi puna e ndërtimit në vend në vitet 1960, “gjithçka u zhduk”, tha ai.

Të varrosur në varre të pashënuar

Gjelosh Ashta ishte një nga disa mijëra shqiptarët që u zhdukën nën regjimin represiv të liderit komunist Enver Hoxha. Gjatë 45 viteve të sundimit komunist, një numër i panjohur shqiptarësh u ekzekutuan dhe u varrosën në varre të pa shënuar ose vdiqën në kampe burgimi.

Emrat e rreth 6,000 personave që u ekzekutuan u identifikuan në fillim të viteve 1990. Por vendndodhja e shumë prej tyre mbetet e panjohur.

Në vitin 2018, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP, filloi procesin e kërkimit të eshtrave të tyre pas tetë vitesh negociata me qeverinë shqiptare.

Por tashmë procesi ka ngecur. Dy varre masive të periudhës komuniste u identifikuan në zonat e Dajtit dhe Ballshit në shtator 2018, por nuk janë dhënë ende urdhra për gërmime nga ana e autoriteteve, tha ICMP në një raport në mars të këtij viti.

Bilal Kola, drejtor i Institutit të të Përndjekurve Politikë, tha për BIRN se organizata e tij ka bërë më shumë se 20 kërkesa në prokuroritë vendore dhe të përgjithshme për informacion rreth personave të zhdukur.

“Në shumë raste nuk kemi marrë përgjigje dhe në rastet kur kemi marrë përgjigje, sigurisht kemi pasur takime përkatëse”, tha Kola.

Por pavarësisht premtimeve të bëra në këto takime, “procesi nuk ka ecur”.

Në mungesë të veprimeve zyrtare, njerëzit kanë bërë kërkimet e tyre për eshtrat e të afërmve të tyre, duke kërkuar informacione për varrezat dhe madje kanë filluar vetë punën e zhvarrosjes.

Por pa mundësinë e verifikimit duke përdorur teknikat e përputhjes së ADN-së, këto iniciativa private nuk janë shkencërisht rigoroze, theksoi Kola, megjithëse tha se e kupton pse familjarët e viktimave kanë ndërmarrë veprime të pavarura.

“Kështu që unë nuk gjykoj aspak mënyrat se si e kanë bërë njerëzit, por nga pikëpamja objektive, gjykoj që procesi nuk ka qenë një proces i saktë dhe shkencërisht i përputhshëm”, tha ai.

ICMP shprehu besimin se është ende e mundur të gjenden eshtrat e njerëzve të zhdukur nën sundimin komunist.

“Megjithëse ngjarjet në lidhje me personat e zhdukur në Shqipëri ndodhën dekada më parë, përvoja jonë tregon se personat e zhdukur mund të identifikohen edhe pas dekadash të zhdukjes së tyre”, tha ICMP në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjeve të BIRN.

“Disa veprime që do të jepnin rezultate më të mira do të përfshinin forcimin e koordinimit të institucioneve shtetërore në procesin e personave të zhdukur, ndarjen e një buxheti më të madh për hetimin e të gjitha rasteve të personave të zhdukur dhe ndërmarrjen e më shumë veprimeve nga Zyra e Prokurorit”, shpjegoi ICMP.

ICMP tha gjithashtu se është “tepër e rëndësishme” që autoritetet shqiptare të “konsolidojnë të dhënat nga arkivat dhe të përpilojnë një listë gjithëpërfshirëse të personave që u zhdukën gjatë epokës komuniste”.

Aktualisht, kjo nuk po bëhet.

Ndoc Ashta tha se 13 të afërm të tij u vranë gjatë komunizmit në Shqipëri. Përveç xhaxhait të tij, studenti katolik i teologjisë Gjelosh Ashta, ishte edhe një fëmijë trevjeçar që vdiq në një kamp paraburgimi në Berat, eshtrat e të cilit nuk janë gjetur ende dhe një vajzë 11-vjeçare që u vra së bashku me babanë dhe xhaxhanë e saj në një varkë në lumin Buna ndërsa përpiqeshin të arratiseshin nga Shqipëria drejt Malit të Zi fqinj në vitin 1990.

“Sapo janë futur në ujërat e lumit Buna, patrulla e policisë ka hapur zjarr ndaj tyre pa pushim me breshëri automatiku. Aty u vranë katër persona, mes tyre edhe një vajzë 11-vjeçare”, tha Ashta.

“Policia jonë që i vrau ata, nuk i mori. Patrulla policore nga Ulqini i Malit të Zi u tha disa herë: ‘Merrini se këta janë qytetarët tuaj’, por nuk i morën, kështu që ata u çuan dhe u varrosën në Ulqin”, ai shtoi.

Pesë vjet më vonë, të afërmit e viktimave u lejuan të merrnin trupat e tyre nga Mali i Zi, por vajza 11-vjeçare kishte rënë në lumë dhe trupi i saj u mor nga rryma e lumit dhe nuk u gjet kurrë.

Simon Mirakaj, i cili punon për Autoritetin Shqiptar për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, u internua nga regjimi komunist dhe disa nga anëtarët e familjes së tij u pushkatuan.

Mirakaj tha se pranon se “gjetja e personave të zhdukur gjatë komunizmit është një problem delikat sepse ka kaluar shumë kohë që kur ka ndodhur”.

Megjithatë, ai shtoi: “Për hir të së vërtetës duhet thënë që nuk ka pasur një impenim serioz nga shteti.” Ai gjithashtu pohoi se familjeve u janë kërkuar para për të zhvarrosur trupat e të afërmve të tyre.

Një nga problemet më të mëdha është se nuk ka legjislacion që detyron prokurorët e kohës së komunizmit të zbulojnë se ku janë vrarë njerëzit, shpjegoi Mirakaj.

“Për prokurorët që kanë marrë pjesë në krime për motive politike gjatë diktaturës, nuk ka asnjë ligj në sistemin demokratik që nga viti 1992 që i detyronte këta prokurorë të përfshirë në ekzekutime të zbulonin vendet e ekzekutimit, përveç vullnetit apo ndërgjegjes së tyre”, tha ai.

“Kjo e ka bërë edhe më të vështirë sot, 30 vjet më vonë, gjetjen e eshtrave të këtyre njerëzve.”

Erald Kapri, një historian shqiptar i cili është anëtar i një organizate të quajtur Kujto.al, e cila fokusohet në krimet e kryera në komunizëm, tha se megjithëse prokurorët mund të hapin çështje pasi të jenë gjetur eshtrat njerëzore, “nuk ka asnjë dëshirë për ta bërë këtë gjë”.

Me kalimin e viteve, shumica e familjeve besojnë se eshtrat e të afërmve të tyre nuk do të gjenden kurrë, përfundoi Kapri: “Pjesa më e madhe ka humbur besimin.”

“Publiku po ushqehet me përralla”

Një nga të zhdukurit, eshtrat e të cilit ende nuk janë gjetur, është shtetasi italian Giuseppe Terrusi, drejtor banke i cili vdiq në vitin 1952 pasi u burgos nga regjimi komunist shqiptar për gjoja vjedhje parash.

“Nga dëshmitë e drejtpërdrejta rezulton se ai ka vdekur nga një problem kardiak. Ai vdiq pas shtatë vitesh burgim të ashpër, në vitin 1952. Disa dëshmitarë kanë pohuar se ai u varros brenda burgut në Burrel”, tha për BIRN djali i tij Aldo Renato Terrusi.

Në vitin 2019, kryeministri shqiptar Edi Rama urdhëroi ngritjen e një grupi pune për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të Terrusit. Më pas nisën gërmimet në Burrel, por i biri i ndaloi pasi ata po përdornin gërmues mekanikë. “Pres që gërmimet për kërkimin e eshtrave të babait tim të rifillojnë me pajisje më të përshtatshme për kërkimin e eshtrave”, tha Terrusi.

Kastriot Dervishi, një historian që ka punuar mbi tema që kanë lidhje me ish-regjimin komunist, akuzoi autoritetet për paaftësi. “Institucionet nuk e dinë për vete se çfarë duhet të bëjnë. Janë të paqartë”, tha ai.

Dervishi argumentoi se ka shumë pak gjasa që të dalë ndonjë informacion i ri në lidhje me vendndodhjen e varreve të viktimave të regjimit komuniste.

“Opinioni te ne ushqehet me përralla se ‘do hapen dosjet’ e do mësohen skica varrimesh e gjëra të këtij lloji, a thua se do prisnim deri sot për këto gjëra. Ky informacion, aq sa ka qenë është ezauruar prej vitesh dhe nuk pritet ndonjë gjë tjetër të dalë në dritë”, tha ai.

Ai tha se në rastin e bankierit italian të zhdukur, “territori ku dikur ishte varrosur Terrusi është shkatërruar dhe eshtrat e tij nuk mund të kërkohen më atje”.

Aldo Renato Terrusi e pranoi se kërkimi për eshtrat e babait të tij nuk do të ishte i lehtë.

“Kam pasur shumë informacione dhe keqdrejtime, kështu që tani, asnjë informacion nuk është i besueshëm. Ka shumë gënjeshtra!” tha ai.

“Ka shumë mundësi që kushdo që është varrosur brenda burgut të jetë lëvizur dhe varrosur diku tjetër me qëllim që të mos gjendet më. Por shpresoj që kërkimi për eshtrat e të gjithë atyre njerëzve që janë të zhdukur do të vazhdojë.” (balkaninsight.com)