VV dërgon në Kushtetuese Thaçin për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë e Mitrovicë të Veriut

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar  se ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimet e Presidentit, Hashim Thaçi për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.

“Sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve antikushtetuese të Presidentit të Republikës së Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Besianës dhe të Komunës së Mitrovicës së Veriut”, thuhet në njoftimin e LVV.

LVV ka thënë se justifikimet se zgjedhjet rrezikojnë shëndetin publik kanë rëne dje pas organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

“Dje u organizuan zgjedhjet e Serbisë në Kosovë dhe me këtë rast ky justifikim ka rënë poshtë plotësisht. Sepse si mund të shpjegohet që zgjedhjet e Serbisë mund të organizohen kurse ato të vetë komunave të Kosovës jo. Cila është porosia? Që ne kemi më pak të drejta? Që minoriteti serb nuk është përgjegjësi e qeverisë tonë sa i takon shëndetit publik? Cilado qoftë arsyeja është skandaloze dhe e papranueshme”, vazhdon njoftimi.

Tutje ata kanë shtuar se askush nuk ka autorizim që të iu pamundësoj qytetarëve zgjedhjen e përfaqësuesit të tyre, e aq më pak presidenti.

“Askush nuk ka të drejtë e autorizime, e aq më pak Presidenti që arbitrarisht dhe jashtë kompetencave të tij të pamundësojë ushtrimin dhe përmbushjen e këtyre të drejtave përmes shtyrjes pa afat të mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të komunës”, thuhet tutje në komunikatë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte marrë vendim për shtyrjen e zgjedhjeve  në Komunën e Podujevës pas përhapjes së pandemisë, COVID-19, ndërsa së fundi edhe zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut pas emërimit të  Goran Rakiç si ministër në Qeverinë Hoti.

Ndërkaq dje janë mbajtur zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nën mbikqyrjen e OSBE-së.