Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL

Vuçiq: Sonte i dërgojmë kërkesën KFOR-it për kthimin e forcave serbe në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandsr Vuçiq tha se Qeveria serbe ka marrë vendim që sonte në formë elektronike, e nesër komandantit të KFOR-it, t’ia dorëzojnë kërkesën për kthimin e forcave serbe të sigurisë serbe territorin e Kosovës.

Këtë ai e tha në televizionin publik të Serbisë, RTS, ku shtoi se ky vendim është në përputhje me Rezolutën 1244.

Vuçiq tregoi se vendimi është marrë unanimisht dhe e quajti atë “vendim të mirë që do të ulte tensionet”.

Paralajmërimin për këtë kërkesë Vuçiq e kishte bërë 3 ditë më parë.

Ai ishte deklaruar edhe lidhur me deklaratën e Ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila kishte thënë se paralajmërimet e Serbisë për shqyrtimin e dërgimit të forcave të saj në Kosovë, janë “krejtësisht të papranushme”.

“Berbok është përgjigjur në vend të KFOR-it, ndërsa KFOR ende nuk e ka pranuar kërkesën për kthimin e forcave tona në Kosove, do ta pranojnë te enjten pasdite, do të nxjerre para tyre 5 dokumenta dhe do t’i pyes se cilin duan ta respektojnë, do ta respektojmë njërin nga ata” – deklaroi Vuçiq.

Që nga 10 dhjetori, serbët ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Sulmet ndodhën derisa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor.

Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm.